
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbatuar dje një operacion të gjerë në disa qytete të vendit, duke goditur një nga grupet më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës me lidhje nga Amerika Latine drejt Evropës.
Në kuadër të këtij aksioni, hetuesit e SPAK bastisën ambientet e “Klajdi Resort” në Golem, ku sekuestruan telefonin celular të pronarit Osman Kokoshi. Burime nga hetimi bëjnë me dije se prokurorët dyshojnë për kontakte të Kokoshit me anëtarë të organizatës kriminale, të cilët, sipas SPAK, kishin kapacitet të ndikonin në çmimin e kokainës në tregjet europiane.
Operacioni, i mbështetur nga të dhënat e siguruara nga aplikacioni i enkriptuar “Sky ECC”, ka përfshirë edhe kontrolle në biznese të tjera të lidhura me personat nën hetim. Në total, lista e të dyshuarve përfshin: Riza, Ardian, Albin dhe Elvis Çelën (vëllezër), Fadil alias Jul Balla – pronar i “Ajman Resort”, Franc Çopja i arrestuar në Belgjikë, Petrit Sulejmani alias “Lakatos”, Mariglen Kamami, Denis Daja, Kujtim Gjyla (me detyrim paraqitje), Renato Musaka, Vilson Pepa, Dition Pepa (me detyrim paraqitje), Miklovan Mullai dhe Gert Çerma.
Sipas SPAK, grupi kishte ngritur një rrjet të mirëstrukturuar për transportimin e kokainës nga portet e Amerikës Latine drejt Evropës, duke përdorur pika strategjike në Shqipëri për magazinim dhe shpërndarje. Hetuesit e lidhin këtë çështje edhe me disa kapje të mëparshme droge në portet e Durrësit dhe Vlorës, ku janë sekuestruar sasi të mëdha të fshehura në kontenierë me banane ose mallra të tjera importi.
Përveç sekuestrimit të celularit të Kokoshit, autoritetet po verifikojnë pasuritë e anëtarëve të grupit dhe lidhjet e tyre ndërkombëtare, ndërsa nuk përjashtohen arrestime të tjera në ditët në vijim. /korrieri