
Pa marrë ende zyrtarisht mandatin e deputetes në Kuvendin e Shqipërisë, Zegjine Çaushi ka zgjedhur të dalë publikisht me një kritikë të fortë ndaj gjendjes së qytetit të Roskovecit.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ajo shfaqet pranë hyrjes së qytetit, ku sfondi dominohet nga grumbuj plehrash. “Këtu jam në hyrje të qytetit të Roskovecit. Qytetit tonë dhe pas meje duket kjo gjendje, no koment,” shprehet Çaushi, duke lënë të kuptohet pakënaqësinë për menaxhimin e situatës nga pushteti vendor.
Zegjine Çaushi, e cila u rendit si deputetja e 12-të e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, humbi fillimisht mandatin pas rinumërimit të votave me kërkesë të PD-së. Megjithatë, ajo e rifitoi vendin në Kuvend pasi një prej kolegëve socialistë dha dorëheqjen për t’i lënë hapësirë në listë.
Burime të Gazeta Korrieri bëjnë me dije se qëllimi politik i Çaushit shkon përtej mandatit të deputetes. Ajo thuhet se ka ambicie për të kandiduar për kryetare të Bashkisë Roskovec, pas largimit të Majlinda Bufit. Madje, sipas të njëjtave burime, në qarqet e PS në Roskovec qarkullon pritshmëria se SPAK mund të ndërhyjë me një hetim dhe arrestim të Bufit para përfundimit të mandatit.
Përplasja mes dy socialisteve nuk është e re. Burime nga brenda strukturave të PS tregojnë se raporti mes Çaushit dhe Bufit u përkeqësua gjatë fushatës zgjedhore, ku Çaushi e ka akuzuar Bufin, në biseda të ngushta, se ka mbështetur një kandidat tjetër dhe nuk e ka ndihmuar për të marrë votat e nevojshme.
Në këtë klimë tensioni, dalja publike e Çaushit mes plehrave shihet si një mesazh i qartë politik, që synon të godasë imazhin e administratës aktuale vendore dhe të përforcojë profilin e saj si alternativë për drejtimin e bashkisë.
Pyetja është: Kush e “ndezi” Zegjinenë? Vepron me kokë të sajë apo e frymëzon ndonjë deputet i zonës? /korrieri