
Fadil alias Julian Balla, i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit Çopja në Elbasan, rezulton pronar i disa bizneseve.
Jo vetëm kompleksi “Ajman Park”, i sekuestruar nga SPAK, por Julian Balla është gjithashtu pronar i kompanisë AMR shpk, e cila vetëm pak muaj më parë fitoi një tender me vlerë 1.2 miliardë lekë për menaxhimin e mbetjeve urbane të bashkisë Shijak.
Ky tender, por edhe kryetari i bashkisë Shijak, u denoncuan nga emisioni “Piranjat”, pasi rezultoi se mbetjet urbane nuk hidheshin në landfillin e Sharrës, siç parashikonte kontrata, por depozitoheshin në një landfill ilegal në fshatin Hardhishtë.
Zbardhja e emrave të personave të përfshirë në trafikun e 17 tonëve kokainë ka nxjerrë në pah se shumë prej këtyre personazheve paratë e drogës i kanë pastruar në resorte luksi apo kompani të cilat kanë përfituar tendera publikë.
Fadil alias Julian Balla, i shpallur në kërkim nga SPAK për trafikun e drogës si pjesë e grupit Çopja, nuk është vetëm pronar i kompleksit Ajman në Shijak, i cili është sekuestruar këtë të premte nga SPAK.
Fadil alias Julian Balla rezulton se është dhe pronar i kompanisë AMR shpk.
Kjo kompani, vetëm pak muaj më parë, u denoncua në emisionin Piranjat, se kishte fituar një tender me vlerë rreth 1.2 miliardë lekë nga bashkia Shijak, për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Gjatë investigimit, Piranjat treguan se Bashkia e Shijakut, e cila në bashkëpunim me firmën private AMR, ka krijuar në fshatin Hardhishtë një landfill të paligjshëm, ku hidhen dhe groposen të gjitha mbeturinat e qytetit.
Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, gjatë një përballje me gazetarin Freard Rista, deklaroi se sipas specifikave të tenderit, mbetjet depozitohen në landfillin e Sharrës, duke mohuar krimin mjedisor që po bëhet në fshatin Hardhishtë.
Në atë zonë, eskavatori i Bashkisë së Shijakut hapte gropa për hedhjen e mbeturinave, ndërsa mjetet e firmës private shkojnë aty dhe i shkarkojnë.
Sa i takon tenderit për “Shërbim pastrimi, grumbullimi dhe depozitim të mbetjeve urbane dhe mirëmbajtje të hapësirave publike dhe varrezave të qytetit”, me fond limit mbi 1.2 miliardë lekë të vjetra pa TVSH, ai është me flamur të kuq për mungesë konkurence, sepse firma AMR është firma e vetme pjesëmarrëse në garë, dhe bashkia i ka pranuar ofertën, 99.7% të fondit limit të vendosur. Firma private ka parashikuar vendosjen e 341 kontenierëve dhe zbrazjen e mbetjeve çdo ditë me tonelata, por këto parashikime nuk i përshtaten kompanisë private, e cila ka në dispozicion vetëm 4 mjete për këtë proces.
Gjithashtu, burimet njerëzore përbëhen nga 30 punonjës, një staf i vogël që nuk dihet se si do të përballojë pastrimin e gjithë sipërfaqes së Bashkisë Shijak, duke llogaritur edhe fshatrat.
Fadil alias Julian Balla, rezulton gjithashtu se është nip i deputetit socialist, Ilir Ndrazhi.
Edhe Julian Balla dyshohet se ka punuar dhe është investuar për fushatën e partisë socialiste në Durrës, duke mbështetur deputetin Ndrazhi.
Ky rast tregon edhe njëherë se pasi i përdor për të financuar fushatën elektorale, Kryeministri Edi Rama vepron ndaj grupeve kriminale duke i arrestuar dhe konfiskuar pronat që kanë vënë nëpërmjet veprimtarisë së paligjshme.