
Kryeministri Edi Rama paralajmëron masa më të ashpra për zjarret e qëllimshme. Kreu i qeverisë ka ndarë pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme të kapur sot nga dronët e Forcave Ajrore, ndërsa thotë se nuk është vetëm një krim, por edhe një tradhti ndaj tokës dhe të ardhmes së fëmijëve në vend.
Sipas kreut të qeverisë, ndëshkimi më i ashpër për piromanët është i nevojshëm teksa shkruan se “në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal.”
“Të ndezësh një zjarr me qëllim, nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. Ja dhe pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme të evidentuar sot nga dronët e Forcës Ajrore.
Policia e Shtetit është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët
Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal.”, shkruan Rama.
Vendi po përballet me zjarre të rrezikshme prej shumë ditësh, të shkaktuara nga temperaturat e larta por dhe nga dora e njeriut. Vetëm sot, policia ka vënë në pranga tre persona në Kavajë për zjarrvënie të qëllimshme dhe një në Fier.