
Një objekt trekatësh beton-arme pa leje është shembur mëngjesin e kësaj të hëne pranë aksit rrugor Vlorë–Orikum, pas një operacioni të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Për demolimin u përdorën 32 kilogramë lëndë plasëse, të vendosura në 410 furnela, ndërsa u shtrinë 1,100 metra linearë fitil detonant. Për arsye sigurie, qarkullimi në këtë segment u bllokua përkohësisht dhe furnizimi me energji elektrike u ndërpre për 15 minuta.
Gjatë operacionit u sigurua prania e mjeteve zjarrfikëse, ambulancave dhe personelit përkatës për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.
Pak ditë më parë, ky objekt ishte denoncuar publikisht edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se aksionet ndaj ndërtimeve pa leje nuk kufizohen vetëm te pronarët e vegjël, por përfshijnë edhe shkelësit e mëdhenj.