
Mingze, 33 vjeç, e diplomuar në Harvard, është mbajtur vazhdimisht larg vëmendjes: prania e saj në një darkë zyrtare me Lukashenkon u zbulua nga agjencia bjelloruse e lajmeve, e cila u detyrua t’i fshinte menjëherë fotot. Ndoshta udhëheqësi kinez donte t’i dërgonte një sinjal Uashingtonit.
Në Zhongnanhai, që është dhe qendra e fuqisë komuniste kineze në Pekin, u organizua një darkë pune. Në këtë darkë ishte i ftuar dhe presidenti bjellorus Aleksandr Lukashenko, i cili ka kryer pesëmbëdhjetë vizita shtetërore në Kinë.
Siç shkruan Corriere della Sera, në këtë darkë surprizë lideri kinez Xi Jinping bëri prezantimin e parë në publik të vajzës së tij, Xi Mingze, e cila për vite me radhë është mbajtur larg vëmendjes.
Ngjarja ka ndodhur në fillim të verës dhe u raportua nga agjencia bjelloruse e lajmeve BelTA, e cila shkruante se në këtë mbrëmje Xi i tha Lukashenkos: “Miku im i dashur, marrëdhënia jonë është speciale, prandaj sot do të hamë si familje dhe për herë të parë vajza ime merr pjesë në një darkë me një lider të huaj”.
Burim i kësaj fabule ishte zv/kryeministri i Minskut, Nikolai Snopkov, dhe BelTA publikoi edhe disa imazhe nga darka.
Një nga misteret që Xi Jinping ka mbajtur me kujdes është vajza e tij e vetme, e lindur nga martesa me këngëtaren e njohur Peng Liyuan. Publiku i zakonshëm kinez e di vetëm se ajo quhet Mingze, ka lindur në vitin 1992 në Fuzhou, në provincën Fujian ku babai i saj ka qenë sekretar partie, dhe është diplomuar në gjuhë dhe letërsi frënge.
Propaganda kineze ka folur vetëm një herë për të, në vitin 2008, kur si vullnetare mori pjesë në ndihmat pas tërmetit të rëndë që ra në Sichuan. Në vitin 2010 u mësua se ajo studioi në Harvard nën një emër të fshehtë për të ruajtur privatësinë dhe sigurinë e saj.
Në vitin 2014 ajo u diplomua në filozofi në Harvard dhe më pas u kthye në Pekin, përsëri larg vëmendjes së publikut. Edhe gjatë vizitës së Michelle Obama-s në Kinë në vitin 2014, vajzat e saj u përmendën nga media kineze, por Mingze nuk u shfaq. Në vitin 2019 u përfol se ajo po ndiqte studimet për doktoraturë në Harvard, por pa shumë zhurmë.
Megjithatë, shfaqja e Mingze-s në darkën me Lukashenkon mbeti misterioze. Media kineze nuk raportoi për këtë, duke treguar se Xi nuk dëshironte të ekspozonte vajzën tek publiku i zakonshëm.
Fotografitë e ngjarjes u fshinë shpejt nga faqja e agjencisë bjelloruse, ndoshta për shkak të sigurisë: në vitin 2019 një teknik informatik u dënua me 14 vjet burg për publikimin e një fotoje të Mingze nga karta e saj e identitetit.
Media ndërkombëtare ka vetëm pak foto që besohet se janë të saj, por asnjë nuk është e sigurt; fotoja e vetme zyrtare është nga agjencia Xinhua dhe e tregon Mingze-n në sediljen e biçikletës së babait të saj kur ishte fëmijë; të tjerat janë të dyshimta.
Pse Xi e prezantoi Mingze-n në darkë? Analistët perëndimorë mendojnë se ishte një sinjal për Uashingtonin. Kohët e fundit qarkulluan thashetheme se vajza mund të kthehej në Harvard në fshehtësi, për të ruajtur një kanal komunikimi mes elitave akademike kineze dhe amerikane.
Por pas fushatës së Donald Trump-it kundër studentëve të huaj në Harvard, plani u anulua. Duke “zbuluar” praninë e Mingze-s te miqtë bjellorusë, Xi mund të ketë dashur t’u tregojë amerikanëve se vajza e tij është shumë mirë në atdhe.