
Në mars të vitit 2024, qeveria krijoi Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, të cilën e kaloi në varësi të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Një agjenci që “mbiu” pas dështimit të politikave për mbetjet në gjithë vendin, sidomos të inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier.
Roli i kësaj agjencia është kordinimi i institucioneve, qendrore dhe vendore, me partnerët nërkombëtarë, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e menaxhimit. Duhet të merrej edhe për të favorizuar riciklimin dhe rekuperimin e mbetjeve.
Më pak fjalë po bën gati projekte që mbetjet t’i marrin privatët dhe në këmbim ata do të rimbursohen. Një mënyrë koncesioni indirekte, ku gjithmonë ka kosto të stërmëdha në buxhetin e shtetit dhe në mjedisin ku gjenden këto vende.
Njoftimi i Agjencisë së Mbetjeve për tenderin e mbetjeve në Fier
Një nga problematikat më të mëdha të Fierit ka qenë mbetjet. Ato depozitoheshin në një zonë tepër të populluar dhe në një lagje të stërmadhe në hyrje të qytetin, në Sheq. Gjithkush që kalonte në rrugë e ndjente aromën tepër të rëndë, ndërkohë që nuk mungonin as zjarret.
Më pas, plehrat u zhvendosën në fshatin Verri, në myzeqenë e Fierit, ku banorët vendas i pritën me protesta. Atje u bë një incenerator, ku proceurat kanë qenë në proces hetimi dhe gjykimi në SPAK dhe në Gjykatën e Posaçme. Janë vënë nën akuzë disa zyrtarë.
Dhe, në gjithë këtë situatë, “shpëtimi” do të vijë nga Agjencia Kombëtare Ekonomike e Mbetjeve?! Kjo Agjenci, sipas dokumenteve që disponon VoxNews, ka hapur një tender me objekt “hartim projekti”. Bëhet fjalë për një “projekt për dizenjimin e investimeve në Zonën e Mbetjeve Fier”. Nuk ka të dhëna më tepër për këtë tender, përveç fondi limit 77,723,561 lekë.
Pra një shumë prej 800 mijë eurosh do të përdoret për dizenjim! Çfarë duhet të bëjë firma apo ompania private që fiton këtë tender? Duhet të bëjë një projekt për plehrat? Po milionat që janë derdhur deri më tani, ku kanë shkuar?
Tenderi i hapur nga Agjencia për dizenjimin e vendit në Elbasan
Njëkohësisht me tenderin në Fier, e njëjta Agjenci ka hapur edhe projektin për “dizenjimin e investimeve në zonën e mbetjeve në Elbasan”. Sërish një problematikë e mbartur me plehrat, ku inceneratori dhe venddepozitimi nuk funksionojnë. Tonelata me plehra përfundojnë në lumin Shkumbin, ku herë pas herë, fusha e mbetjeve merr flakë. Vlera e tenderit në Elbasan kap shifrën e 80,487,832 lekë.
Për të dyja procedurat shteti jep një shumë prej më shumë se 1.6 milionë euro vetëm për t’i dizenjuar. Por nëse krijon Agjenci, që do të rregullojë problematikat e hershme të mbetjeve, përse nuk i bën vetë shteti këto projekte? Kaq të paaftë janë zyrtarët tanë që pasi dështojnë një, dy apo tre herë për mbetjet, sërish bëjnë tendera dhe japin para.
Duket se historia e mbetjeve nuk do të përfundojë ndonjëherë në Shqipëri, duke na kujtuar skenat në vendin italian në vitet ’90. Në Itali futi duart mafia, ndërkohë në Shqipëri ka futur “duart” thellë shteti.