
Këngëtari i famshëm grek Giorgos Mazonakis, i cili u mbyll nga motra e tij dhe familjarë të tjerë në spitalin psikiatrik, ka thyer heshtjen dhe ka reaguar.
Mediat greke raportojnë se përmes një deklarate të bërë publike nga avokati i tij, ai thotë se është mirë dhe se nuk vuan nga asnjë sëmundje mendore, duke rikonfirmuar zërat se e gjithë kjo është bërë nga motra e tij dhe familjarë që mesa duket duan t’i marrin pasurinë, me të cilët ndodhet edhe në proces gjyqësor prej disa vitesh.
“Mbyllja ime e përkohshme këtu në Dromokaiteio u bë pa më vënë në dijeni. Unë nuk vuaj nga ndonjë sëmundje mendore që kërkon kujdes psikiatrik dhe që mund të më bëjë të rrezikshëm qoftë për veten time apo për palët e treta. Pas kësaj prove fshihet një metodë e neveritshme. Ju falënderoj të gjithëve nga thellësia e zemrës, fansa, bashkëpunëtorë, miq, sipërmarrës të Fever, për mbështetjen e palëkundur dhe dashurinë që po më tregoni gjatë këtij momenti të vështirë personal. Ndihem mirënjohës dhe premtoj se do të jem me ju së shpejti“, tha George Mazonakis në mesazhin e tij.
Ndërkohë që avokati i tij tha se është i bindur se ditën e hënë ai do të kthehet në shtëpi, teksa shton se e gjithë kjo manovër është bërë të enjten, që pasonte me katër ditë pushimi të institucioneve në Greqi.
Ndërkohë, një ditë më parë, edhe familja e Giorgos Mazonakis reagoi përmes avokatëve të saj, duke theksuar se prioritet i tyre absolut është shëndeti dhe siguria e këngëtarit. Sipas deklaratës së shpërndarë nga zyra ligjore “Vlassis & Associates”, familja bën të qartë se nuk është e interesuar për deklaratat apo komentet e palëve të treta, derisa të kalojë rreziku për jetën e tij.