TIRANË/MEDELLÍN — Detaje të reja kanë dalë në dritë nga një operacion i gjerë i Policisë Kombëtare të Kolumbisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, Europol dhe agjenci të tjera ndërkombëtare, që çoi në shkatërrimin e një strukture të fuqishme kriminale të quajtur “RAPHAX”, e specializuar në trafikimin e qenieve njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual në Evropë.
Operacioni u zhvillua njëkohësisht në disa qytete të Kolumbisë, duke rezultuar me 12 urdhër-arreste në Medellín (9), Pereira (2) dhe Cali (1). Të arrestuarit akuzohen për trafikim personash për shfrytëzim seksual dhe pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar. Paralelisht, në Evropë, Europol ekzekutoi edhe 7 arrestime të tjera në Shqipëri, ku rrjeti kishte bazën e tij të shfrytëzimit.
Rekrutimi dhe rruga e shfrytëzimit
Hetimet zbuluan se “RAPHAX” kishte rekrutuar mbi 60 vajza nga Medellín dhe Cali, të cilat mashtrroheshin përmes rrjeteve sociale me oferta të rreme pune. Pas rekrutimit, ato transportoheshin drejt disa vendeve evropiane ku rrjeti operonte aktivisht, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maltën, Kroacinë dhe Kosovën.
Në Tiranë, rrjeti kishte krijuar një qendër të organizuar shfrytëzimi, ku viktimat trajtoheshin si skllevër modernë. Për të “shlyer” shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit, vajzave u vendosej një borxh prej 5 mijë eurosh, i cili në praktikë nuk shlyhej kurrë. Çdo fitim i tyre konfiskohej nga grupi, ndërsa mbi to vendoseshin gjoba dhe penalitete të vazhdueshme, duke i mbajtur të bllokuara në një cikël shfrytëzimi.
Koka e rrjetit: “LUKAS”
Autoritetet kolumbiane konfirmuan arrestimin e udhëheqësit të strukturës, të njohur me nofkën “LUKAS”, në qytetin e Medellín. Ai konsiderohej objektiv prioritar dhe ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria dhe Malta, si organizatori kryesor i rekrutimit dhe transportimit të grave për prostitucion.
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe statistikat
Operacioni thekson edhe njëherë rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar. Vetëm gjatë vitit 2025, Policia Kombëtare e Kolumbisë ka kryer 13 operacione kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke arrestuar 80 persona, mes të cilëve 19 të huaj.
Autoritetet shqiptare dhe kolumbiane pritet të thellojnë më tej hetimet për të zbardhur të gjithë zinxhirin kriminal dhe lidhjet që ky rrjet ka pasur në disa shtete evropiane.















