Një 19 vjeçar është arrestuar në kushtet e flagrancës nga agjentët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Tiranë, pasi shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla, në lokalet e natës pranë vendit të njohur si “rruga e Salës”.
Policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi Glejdis Vata.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që shiste lëndë narkotike kokainë, në doza, kryesisht në lokale nate, në rrugët “Papa Gjon Pali II” dhe “Mustafa Matohiti”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin “Night”.
Në kuadër të operacionit, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi G. V., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet dhe iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike Kokaine, e ndarë në doza, gati për shitje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.











