Buxheti i shtetit nuk humbet asnjë qindarkë nga ulja me 20 për qind e akcizës së naftës kur çmimi për një letër tejkalon 220 lekët. Të ardhurat e munguara në buxhet nga reduktimi i kësaj takse kompensohen nga rritja e taksës mbi vlerën e shtuar për shkak të rritjes së çmimit.
TVSH-ja mbi naftën në Shqipëri llogaritet me normën 20 për qind mbi çmimin final, i cili përfshin koston e naftës, akcizën, taksën e qarkullimit dhe atë të karbonit.
Kjo do të thotë se TVSH-ja aplikohet si “taksë mbi taksë”, ku me çmimin aktual prej 224 lekësh që ka caktuar bordi, qeveria arkëton vetëm nga kjo taksë 44.8 lekë për litër, ose të paktën 8 lekë për litër më shumë se sa arkëtohej para rritjes së çmimit të karburanteve.
Ndoshta kjo ka qenë llogaria që ka bërë Ministria e Financave kur ka vendosur që ulja e akcizës prej 20 për qind të aplikohet vetëm kur çmimi i naftës tejkalon 220 lekët. Nëse ky çmim rritet përtej këtij niveli, qeveria jo vetëm që nuk humbet nga akciza e reduktuar, por arkëton të ardhura shtesë prej TVSh.
















