Qeveria shqiptare po shtyn me ritme të shpejta miratimin e projektligjit “Për identifikimin elektronik dhe portofolin e identitetit digjital”, duke e paraqitur atë si një hap drejt modernizimit dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Europian. Në letër, bëhet fjalë për një sistem që synon të rrisë sigurinë dhe besueshmërinë në transaksionet elektronike. Në praktikë, pas këtij projekti qëndron një faturë e konsiderueshme dhe një debat i hapur mbi sigurinë reale të të dhënave.
Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, kostoja e përllogaritur për një periudhë 10-vjeçare arrin në 703,447,485 lekë, ose rreth 7 milionë euro. Kjo shumë lidhet kryesisht me mirëmbajtjen e sistemit dhe certifikimet përkatëse. Por vetë dokumenti pranon se kjo është vetëm një vlerësim orientues dhe nuk përfshin investime të tjera të domosdoshme, si pajisjet teknologjike, zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve apo zgjerimin e stafit. Në thelb, bëhet fjalë për një kosto fillestare, ndërsa shpenzimet reale pritet të jenë më të larta.
Në qendër të këtij projekti është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, institucioni që do të administrojë dhe do të ketë kontrollin mbi portofolin digjital. Kjo ngre një nga pikëpyetjet më të forta të gjithë nismës: besueshmëria.
Në vitet e fundit, AKSHI është përballur me sulme kibernetike që kanë ekspozuar të dhëna sensitive të qytetarëve, nga informacionet personale deri te të dhënat financiare dhe ato të automjeteve. Paralelisht, institucioni është përmendur në hetime të SPAK për procedura tenderimi që kanë ngritur dyshime për shkelje dhe favorizime. Këto zhvillime e vendosin në diskutim aftësinë reale të këtij institucioni për të garantuar një sistem të sigurt në nivel kombëtar.
Projektligji parashikon që shteti të ketë rol aktiv në menaxhimin e identitetit digjital, përfshirë edhe mekanizmat e krijimit dhe përdorimit të nënshkrimeve elektronike. Kjo do të thotë se një pjesë thelbësore e identitetit ligjor të qytetarëve kalon nga kontrolli individual në një infrastrukturë të centralizuar.
Në kushte normale, ky është një model që aplikohet në shumë vende europiane. Por në kontekstin shqiptar, ku sistemet digjitale janë treguar të brishta dhe të ekspozuara, transferimi i këtij kontrolli ngre shqetësime konkrete. Çështja nuk është vetëm teknologjike, por lidhet drejtpërdrejt me besimin publik.
Nëse sistemi funksionon, ai mund të lehtësojë shërbimet, të reduktojë burokracinë dhe të rrisë efikasitetin. Por nëse dështon, pasojat janë shumë më të mëdha, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një databazë, por për identitetin digjital dhe firmën elektronike të çdo qytetari.
Në këtë pikë, debati nuk është nëse Shqipëria duhet të ecë drejt digjitalizimit. Pyetja reale është nëse infrastruktura ekzistuese dhe institucionet përgjegjëse janë në gjendje të mbajnë mbi vete një sistem kaq të ndjeshëm. Përpara se të miratohet një projekt me kosto miliona euro dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e çdo qytetari, mbetet për t’u parë nëse janë krijuar garancitë minimale për siguri dhe transparencë. /Korrieri















