Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e se premtes në aksin Elbasan–Cërrik, në fshatin Mjekës.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, një “Benz” dhe një “Volkswagen Caddy”. Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i automjetit “Benz” ka humbur jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, drejtuesi i mjetit tjetër është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po merr ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.











