Vetëm pak ditë pasi QSUT bëri publike thirrjen për donacione, njoftimi nuk është më i aksesueshëm në faqen zyrtare të institucionit. Në kategorinë “Njoftime” të faqes së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk rezulton më rubrika ku publikoheshin thirrjet për donacione, duke e bërë të pamundur për qytetarët apo subjektet e interesuara të shohin kërkesat për pajisje dhe sesi mund të kontribuojnë.
Faqja e donacioneve shfaq një shënim: “Error 404, përmbajtja nuk është më e disponueshme ose mund të jetë hequr”.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) hapi një thirrje publike për donacione, duke ftuar individë, biznese dhe organizata të kontribuonin me pajisje mjekësore dhe teknologjike për përmirësimin e shërbimeve ndaj pacientëve të shtruar në spital.
Në njoftimin e publikuar, QSUT deklaronte se mirëpriste çdo kontribut apo donacion që synonte përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve të hospitalizuar. Lista e pajisjeve të kërkuara përfshinte mjete të rëndësishme për trajtimin e pacientëve, si 15 respiratorë, gjashtë defibrilatorë dhe dy kulla endoskopie me kolonoskopi. Krahas tyre, institucioni kërkonte edhe 281 kompjuterë dhe 210 printerë.
Heqja e njoftimit nga faqja zyrtare krijon paqartësi për qytetarët e interesuar pasi QSUT nuk ka bërë të ditur nëse thirrja është mbyllur, nëse janë siguruar donacionet e kërkuara apo nëse procedura do të vijojë përmes një kanali tjetër komunikimi.
Kjo nuk është hera e parë që spitali më i madh publik në vend u drejtohet donatorëve. Edhe më parë QSUT ka kërkuar mbështetje përmes donacioneve, por, në faqen e Web-it nuk ka një pasqyrë publike të detajuar mbi vlerën e donacioneve të përfituara dhe pajisjet e siguruara.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2026 në Komisionin Parlamentar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, deklaroi se buxheti për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale arrin në 108.8 miliardë lekë, ose 12.3% të buxhetit të shtetit, me 4.3 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Prej tyre, 79.5 miliardë lekë janë planifikuar vetëm për sektorin e shëndetësisë.
Dokumentet buxhetore parashikojnë gjithashtu një fond prej 1.1 miliardë lekësh për blerjen e pajisjeve gjatë viteve 2026-2028, ku renditet edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku sipas projektbuxhetit, fondi do të përdoret, ndër të tjera, për pajisje mjekësore për QSUT, si edhe për kostot lokale të blerjes së aparaturës PET-CT për këtë institucion.
Megjithatë, fakti që spitali më i madh publik në vend vijon t’u drejtohet donatorëve për sigurimin e pajisjeve mjekësore dhe teknologjike ngre shqetësime mbi mjaftueshmërinë e financimit të sistemit shëndetësor.
Alma Lahe nga Together for Life, shprehet se rritja e fondeve në periudha të caktuara nuk e zgjidh problemin nëse mungon një planifikim i qëndrueshëm i nevojave të sistemit.
“Ministria duhet të bëjë një planifikim më të mirë të buxhetit që në vitin paraardhës dhe të deklarojë mungesat, pamundësitë për mbulimin e shërbimeve me buxhetin e parashikuar. Ajo që ndodh është se Ministria nuk e pranon problemin me buxhetin e pamjaftueshëm.”-u shpreh Lahe.
Sipas përfaqësueses së “Together for Life” një organizatë jofitimprurëse që punon për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjen e të drejtave të pacientëve në Shqipëri, edhe pse qeveria e prezanton çdo vit buxhetin si më të lartin ndonjëherë për shëndetësinë, kjo nuk reflekton domosdoshmërisht një rritje reale të financimit të sektorit. Lahe argumenton se, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto financimi mbetet në nivele të ulëta, ndërsa investimet janë orientuar më shumë drejt ndërtimeve dhe rikonstruksioneve sesa pajisjeve spitalore.
“Ministria duhet t’i japë fund të ‘fshehurit’ pas propagandës që riciklohet çdo vit si ‘buxheti më i lartë i të gjitha kohërave për shëndetësinë’. Edhe nëse në terma nominalë buxheti mund të jetë më i lartë se një vit më parë, buxheti si përqindje e PBB-së vazhdon të jetë në të njëjtin nivel të ulët.”-vijoi ajo.
Lahe shton se kërkesat e spitaleve për donacione nuk bien ndesh me ligjin dhe parashikohen edhe në kuadër të autonomisë spitalore. Megjithatë, sipas saj, mbetet e diskutueshme nëse një sistem publik shëndetësor duhet të mbështetet te donacionet për të siguruar pajisje bazë.
“Kërkesat e spitaleve për fondmbledhje nuk janë të paligjshme. Por a është e moralshme, kur çdo ditë përballemi me vendimmarrje që tregojnë se fondet publike po orientohen drejt prioriteteve të tjera dhe jo domosdoshmërisht drejt nevojave reale të sistemit shëndetësor?” -ngriti pyetjen Lahe.
QSUT është spitali më i madh publik dhe qendra më e rëndësishme universitare e nivelit terciar në vend. Ai ofron shërbime të specializuara për pacientë nga e gjithë Shqipëria, duke përbërë shtyllën kryesore të sistemit spitalor publik./Citizens.al
















