Policia e Shkodrës ka konfirmuar se tre personat që humbën jetën në zjarrin që përfshiu një banesë në fshatin Domen të Postribës janë një nënë dhe dy fëmijët e saj të mitur, të moshës 1 dhe 3 vjeç.
Sipas autoriteteve, 24-vjeçarja Blerina Çobaj dhe dy fëmijët e saj ishin kthyer së fundmi nga Gjermania. Ata kishin shkuar në një banesë të vjetër dhe të pabanueshme, e cila, për shkaqe që mbeten ende nën hetim, u përfshi nga flakët.
Banesa ndodhet në një zonë të thellë malore, rreth 30 minuta në këmbë nga rruga ku mund të qarkullojnë automjetet, çka ka vështirësuar ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës.
Ekipet zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje, por banesa ishte shkrumbuar pothuajse plotësisht. Sipas të dhënave paraprake, terreni i vështirë dhe njoftimi i vonuar kanë bërë të pamundur ndërhyrjen në kohë për shpëtimin e viktimave.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç.
Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje.
Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
















