Arrestohet në afërsi të banesës së tij në Zallë, i shumëkërkuari Ylli Zalla. Ai u kap në orën 5 të mëngjesit nga forcat RENEA dhe ishte i pajisur me kallashnikov me 3 krehëra fishekësh. Dje iu vendos tritol në derën e banesës dhe iu dogj makina. Policia deklaroi se ka dyshime se e ka vendosur vetë dhe, në kundërpërgjigje, ai u shfaq para shtëpisë duke akuzuar policinë.
Pas arrestimit të Zallës reagoi Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor ‘Fundi i Arratisë’, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit”, njoftoi MB.
















