Të paktën gjashtë familje në Tiranë pretendojnë se janë bërë viktima të së njëjtës grua, e cila punësohej për pastrimin e banesave dhe më pas vidhte bizhuteri e ora luksoze, duke i zëvendësuar me kopje të ngjashme.
Sipas dëshmive gruaja prezantohej me emra, vendbanime dhe numra telefoni të ndryshëm. “Diana”, “Denada” dhe “Ariana” janë disa nga emrat që dyshohet se ka përdorur, ndërsa numrat e kontaktit çaktivizoheshin pasi largohej nga puna.
Një familje tregon se e punësoi më 10 korrik 2026, pasi ajo u prezantua si 37-vjeçare, banuese në Don Bosko dhe nënë e dy fëmijëve. Punoi vetëm dy ditë, ndërsa ditën e tretë njoftoi se do të rikthehej në një hotel ku kishte punuar më parë. Pas largimit të saj, familjarët zbuluan se një byzylyk me diamante ishte zëvendësuar me një byzylyk metalik, pothuajse identik me origjinalin.
Në një rast tjetër, gruaja dyshohet se ka punuar vetëm më 17 korrik, duke u prezantuar me emrin “Denada”. Pas largimit të saj, familja konstatoi mungesën e një byzylyku floriri të një fëmije, ku ishte gdhendur emri “Alexander”.
Një tjetër denoncuese thotë se e punësoi më 24 mars 2026. Pas dy ditësh, ajo zbuloi se ora e saj “Cartier” ishte zëvendësuar me një kopje, ndërsa ishte zhdukur edhe një unazë e së njëjtës markë. Rasti, sipas saj, është kallëzuar në Polici, por identiteti dhe numri i telefonit të përdorur nga gruaja dyshohet se kanë qenë të rremë.
Në denoncime përmendet edhe një rast në zonën e “Lake View”, ku pretendohet se janë marrë një orë “Rolex” dhe sende të tjera me certifikata pronësie. Familjarët thonë se kallëzimi është depozituar në Komisariatin nr. 3.
Një grua tjetër pretendon se i është vjedhur ora që kishte marrë dhuratë pas lindjes së vajzës. Ajo thotë se e ka denoncuar rastin në Komisariatin nr. 1 që në qershor të vitit 2025, por deri tani nuk ka marrë zgjidhje.
Një prej rasteve raportohet se ka ndodhur rreth dy vite më parë. Gruaja ishte prezantuar si “Ariana”, me origjinë nga zona e Delvinës. Familja pretendon se ora “Rolex”, një byzylyk diamanti i tipit “tennis” dhe bizhuteri “Van Cleef” ishin zëvendësuar me produkte pa vlerë.
Rasti më i fundit lidhet me një familje me fëmijë të porsalindur. Gruaja ishte prezantuar si 37-vjeçare nga Memaliaj, banuese në Laprakë dhe nënë e dy fëmijëve. Ditën e dytë të punës, familjarët u kthyen më herët në banesë dhe konstatuan se në sirtarin e bizhuterive kishte pasur lëvizje.
Sipas dëshmisë, një pjesë e florinjve ishte zëvendësuar me bizhuteri false. Gruaja fillimisht mohoi akuzat, bërtiti dhe tentoi të largohej. Familjarët njoftuan Policinë dhe, pas rreth 20 minutash, ajo dyshohet se pranoi se sendet i kishte fshehur në trup dhe i dorëzoi.
Familjet kanë bërë publike rastet me shpresën se gruaja do të identifikohet dhe se persona të tjerë që mund të kenë rënë pre e së njëjtës skemë do t’i drejtohen Policisë. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Tiranës mbi numrin e kallëzimeve, identitetin e së dyshuarës apo fazën e hetimeve.















