Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Elvis Kosovës në Palasë, i njohur edhe si “Visi i Garave”.
Mësohet se ngjarja ka nisur pasi bashkëshortja e 40-vjeçarit e ka gjetur atë në vilë me një grua tjetër. Mes çiftit ka shpërthyer një konflikt, gjatë të cilit Kosova dyshohet se ka dhunuar bashkëshorten dhe një punonjës sigurie.
Konflikti është përshkallëzuar më tej, pasi 40-vjeçari dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten me një armë zjarri pa leje.
Pas njoftimit, në vilë kanë mbërritur shërbimet e Policisë. Kosova dyshohet se ka kundërshtuar ndërhyrjen, duke bërë rezistencë dhe duke u përplasur fizikisht edhe me efektivët.
Policia arriti ta neutralizonte dhe ta arrestonte në flagrancë, ndërsa sekuestroi një pistoletë. Kontrollet vijuan në banesën e tij në Tiranë, ku u gjetën edhe dy pako me municion luftarak dhe dy krehra me fishekë.
Kosova është një emër i njohur për autoritetet. Në gusht 2024 ai u arrestua së bashku me një shtetas turk, pasi dyshohej se kishin ngritur një skemë për përvetësimin e një automjeti luksoz “Audi”, me vlerë rreth 200 mijë euro, të marrë me qira në Gjermani.
Në korrik 2025, në portën e garazhit të tij pranë Liqenit të Thatë u vendos një sasi tritoli.
Emri i Kosovës u përmend edhe pas atentatit të Rinasit, ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, pasi u raportua se automjeti “Mercedes-Benz” me të cilin udhëtonin viktimat kishte qenë në pronësi të tij. Kosova e mohoi lidhjen me makinën, duke deklaruar se nuk mbante mend ta kishte pasur dhe se nuk mund të dinte hyrjet e daljet e automjeteve nga kompania e tij.














