Bashkë me biznesmenin Ergys Agasi, të shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, është arrestuar edhe Ulian Shpataraku, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit dhe një nga njerëzit e besuar të ish-kryepolicit Ilir Proda.
Agasi dhe Shpataraku u lokalizuan fillimisht në Elbasan, ndërsa udhëtonin me të njëjtin automjet. Strukturat operacionale i mbajtën nën vëzhgim gjatë lëvizjes drejt Durrësit, pa ndërhyrë menjëherë.
Operacioni u finalizua në zonën e Plepave, ku automjeti u bllokua dhe të dy personat u vunë në pranga. Në operacion mësohet se u angazhuan edhe forca speciale.
Ndryshe nga informacionet e para se ishte kapur në Elbasan, arrestimi i Agasit u krye në Durrës, pasi ishte ndjekur gjatë itinerarit që nisi nga Elbasani.
Shpataraku ishte gjithashtu në kërkim
Ulian Shpataraku ishte shpallur në kërkim më 6 gusht 2026, pas një incidenti të ndodhur në një hotel në Dhërmi. Ai dyshohet se kërcënoi me jetë një kamarier dhe administratorin e hotelit pas një konflikti për ushqimin.
Stafi i hotelit bëri kallëzim në Komisariatin e Himarës, ndërsa Policia shpalli në kërkim ish-zyrtarin. Pavarësisht kësaj, Shpataraku u lokalizua vetëm kur po udhëtonte së bashku me Ergys Agasin.
Shpataraku njihej si një nga njerëzit e afërt të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda. Ai kishte mbajtur poste drejtuese në Policinë e Elbasanit, ndërsa në shkurt 2025 u transferua në Drejtorinë e Përgjithshme me vendim të Prodës.
Në muajin maj, drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e përjashtoi Shpatarakun nga radhët e uniformave blu. Ai ishte pezulluar më parë për mosparaqitje në detyrë dhe në atë periudhë mbante funksionin e asistentit në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit.
Shpataraku ishte pezulluar edhe në vitin 2023, kur drejtonte Seksionin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Elbasan. Hetimi lidhej me lirimin e një personi të shpallur në kërkim, i cili ishte shoqëruar në ambientet e Policisë, por nuk ishte ndaluar.
Agasi, në kërkim për dosjen e AKSHI-t
Ergys Agasi kërkohej prej 16 dhjetorit 2025, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg”, me kërkesë të SPAK.
Ai dyshohet si një nga drejtuesit e një grupi të strukturuar kriminal që ndikonte dhe paracaktonte tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Sipas SPAK, skema funksiononte përmes konkurrencës së paligjshme, presioneve ndaj kompanive rivale dhe favorizimit të operatorëve të lidhur me grupin. Akuzat ndaj Agasit përfshijnë shkeljen e barazisë në tendera, konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë dhe grupin e strukturuar kriminal.
Fakti që Agasi lëvizte me një ish-drejtues policie, të njohur si njeri i afërt i Ilir Prodës dhe vetë të shpallur në kërkim, pritet të jetë pjesë e verifikimeve të mëtejshme.
Autoritetet duhet të përcaktojnë nëse Shpataraku e kishte ndihmuar Agasin gjatë muajve në arrati dhe nëse kishte rol në rrjetin që po hetohet për dosjen e AKSHI-t.
















