Prej gati një jave nga arratisja policia në Greqi nuk ka asnjë gjurmë të Alket Rizait.
Mediat fqinjë duke iu referuar policisë raportojnë se ai mund të jetë parë në veri të vendit, pranë kufirit me Shqipërinë.
Për këtë shkak është shtuar dyshimi se 48-vjeçari mund të ketë kaluar kufirin në mënyrë ilegale duke u arratisur drejt atdheut të tij.
Megjithatë, Policia shqiptare shprehet se nuk u është transmetuar informacion apo kërkesë për të zbuluar vendndodhjen e mundshme të Rizait.
48-vjeçari nuk është shpallur ende në kërkim ndërkombëtar çka do të aktivizonte mënjëherë të gjithë shtetet.
Për të pestën ditë autoritetet greke vijojnë kërkimet për Rizain. Ai ishte me leje shpërblyese që prej 7 shtatorit dhe duhej të rikthehej në burgun e Domokos mëngjesin e datës 14.
Por në ditën e fundit të lejes ai u përfshi në një incident të armatosur jashtë një lokali plazhi. Prej asaj dite nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Rezulton se prej vitit 2021 ai ka marrë 17 herë leje shpërblyese. Kjo është arratisja e tretë e Rizait, pas dy ikjeve famshme me helikopter në vitet 2006 dhe 2009 nga burgu i Koridhalos.















