“Çdo javë dhe më shumë besim për Praninë Besnike! Me Ramon Kurti ndamë sallën e Bibliotekës “Dritëro Agolli” për të pritur sa më shumë qytetarë sot, në qendër të Fierit.”
Me këtë përshkrim, Belinda Balluku ka promovuar sot aksionin e radhës të nismës “Prania Besnike”. Megjithatë, pas kësaj dëgjese të ashtuquajtur publike fshihet një tjetër shpërdorim i hapur i institucioneve publike për qëllime partiake.
Nga leximi te propaganda, zgjedhja e Bibliotekës
“Dritëro Agolli” në Fier për një takim politik është një ironi më vete. Në një ambient ku tabela “DO NOT DISTURB” apo “READING ZONE” kërkon qetësi për studim, Balluku ka ngritur “shtabin” e saj të radhës. Nën vëzhgimin e portretit të Agollit, hapësira e financuar nga taksat e të gjithë qytetarëve kthehet pa asnjë hezitim në një zyrë elektorale për llogari të Rilindjes.
Vilat e fshehura dhe dëgjesat e “përunjura”
Kjo shfaqje e përunjësisë vjen në një kohë kur emri i zëvendëskryeministres është sërish në qendër të vëmendjes për shkak të hetimeve të SPAK-ut. Zbulimi i një tjetër vile të fshehur, që ka çuar në prokurori biznesmenë e futbollistë, krijon një kontrast të fortë me imazhin e zyrtares që “dëgjon hallet e popullit”.
Për më tepër, prania e sekretares që mban shënime me bllok e laps pranë një zyrtareje të përfolur për abuzime me tenderat, korrupsion dhe fshehje pasurie, e kthen të gjithë skenën në një fasadë propagandistike. Ajo që reklamohet si “Prani Besnike”, mbetet thjesht një përpjekje për të përdorur qytetarët si sfond për fotot e radhës.














