Më 17 korrik, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) shqyrtoi një tjetër valë projektesh shumëkatëshe në Tiranë. Të paktën 11 prej tyre parashikojnë ndërtime 15 kate ose më shumë, ndërsa në të njëjtën mbledhje u shqyrtuan edhe zhvillime të mëdha në Durrës dhe Vlorë.
Projektet janë të afishuara në rendin e ditës së mbledhjes, por vendimet përkatëse të KKTU-së nuk janë zbardhur ende publikisht.
Në Tiranë, lista përfshin “Vertical Village”, me lartësi deri në 23 kate; “Elite Tower”, deri në 24 kate; “Vertical Community”, deri në 18 kate; “Uzina Residence”, me 16 kate; si dhe “M-21”, që parashikon 26 kate mbi tokë dhe gjashtë kate nëntokë. Në rendin e ditës gjenden gjithashtu “Scarlet Tower”, deri në 15 kate, dhe projekte të tjera banimi e shërbimi që arrijnë në 15, 16 dhe 19 kate.
Për “Vertical Village”, Citizens.al ka raportuar më herët në kuadër të zhvillimeve shumëkatëshe që po ndryshojnë strukturën urbane të Tiranës. Projekti është prezantuar si një zhvillim i studios NOA Architects, në bashkëpunim me Atelier 4, në zonën e Komunës së Parisit.
Në të njëjtën mbledhje, KKTU shqyrtoi edhe projektin për rijetëzimin e stadiumit “Selman Stërmasi”, këtë herë në fazën e lejes së zhvillimit. Projekti parashikon ndërtesa që arrijnë deri në 25 kate.
Citizens.al ka raportuar më herët për procesin që prej garës së zhvilluar nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Në prill 2025, “Selman Stërmasi” rezultonte e vetmja thirrje “duo”, që bashkonte projekt-propozimin me investimin, e cila kishte ecur pa shtyrje dhe me oferta konkrete. Procesi u shoqërua me pikëpyetje mbi transparencën, pasi përbërja e jurisë nuk ishte bërë publike sipas afateve të përcaktuara në dokumentet e garës.
Më pas fitues u shpall projekti i studios holandeze OMA. Investimi është përllogaritur në rreth 172 milionë euro, ndërsa investitori privat, Albanian Investment Construction, ofroi 46.5% të sipërfaqes së zhvilluar mbi pronën publike. Më 17 korrik 2026, projekti u shqyrtua nga KKTU për leje zhvillimi.
Një tjetër pikë e rendit të ditës ishte “Garda Tower”, pranë Parkut të Madh të Tiranës. Citizens.al raportoi në mars 2026 se punimet për kullën kishin nisur dhe se projekti parashikonte 33 kate mbi tokë dhe pesë kate nëntokë.
Në dokumentin e mbledhjes së korrikut, “Garda Tower” shfaqet për “rishikim të kushteve gjatë ndërtimit”, por këtë herë përshkruhet me 43 kate mbi tokë dhe pesë kate nëntokë. Kjo është një rritje me 10 kate krahasuar me dokumentacionin e raportuar më herët nga Citizens.al.
Zhvillimet shumëkatëshe nuk kufizohen vetëm në Tiranë. Në Durrës, KKTU kishte në rend dite lejen e ndërtimit për një kompleks rezidencial dhe shërbimesh me godina 6–7 dhe 20–21 kate mbi tokë dhe tre kate nëntokë. Zhvillues janë shoqëritë “T&Xh” dhe “Badriklo”, ndërsa dokumenti publik nuk përcakton zonën konkrete të Bashkisë Durrës ku parashikohet ndërtimi.
Po në Durrës, në rendin e ditës shfaqet edhe “Seaside Durres”, një kompleks me vila, pallate, resort-hotel dhe Town Center, ndërsa projekte të tjera parashikohen në Draç dhe Gjirin e Lalëzit.
Në Vlorë, KKTU shqyrtoi “Duas Towers”, nga “Hanxhari Group”, si dhe një projekt banimi dhe shërbimesh deri në 16 kate, me zhvillues “Marina Bay”, “Balkan Interactive Group (BIG)” dhe “Luxury Investment Srl”. Një tjetër godinë deri në 11 kate parashikohet në zonën e Ujit të Ftohtë.
Krahas ndërtimeve private, në rendin e ditës ishin edhe ndërhyrje përgjatë bregdetit, përfshirë vazhdimin e shëtitores në Plazhin e Vjetër të Vlorës dhe ndryshime gjatë ndërtimit për projektin e rikualifikimit të vijës bregdetare Vlorë–Radhimë–Orikum.
Megjithëse këto projekte u shqyrtuan nga KKTU më 17 korrik, vendimet përkatëse nuk janë zbardhur ende publikisht, duke e lënë të paqartë për publikun se çfarë është miratuar përfundimisht dhe me çfarë kushtesh.















