Qeveria ka propozuar një ligj të ri për minierat, i cili përpiqet të adresojë një nga problemet më të mëdha të këtij sektori. Ky është braktisja e minierave nga kompanitë, kur mbaron afati i lejes, apo kur u hiqet nga shteti.
Deri më sot, një nga plagët më të mëdha të zonave minerare dhe karrierave të gurit në Shqipëri ka qenë braktisja e tyre. Edhe pse kompanitë detyroheshin të linin një garanci financiare (peng) në bankë për rehabilitimin e mjedisit, shteti e kishte pothuajse të pamundur ligjërisht t’i prekte ato para.
Mungesa e një afati të prerë se kur duhej të kryhej ky rregullim dhe procedurat e paqarta juridike bënin që bankat të mos i lëshonin fondet, duke i lënë zonat e shfrytëzuara si gropa të hapura dhe të rrezikshme për komunitetet.
Me ndryshimet e reja, kjo bllokadë merr fund. Ligji i ri vendos një afat të prerë prej 12 muajsh nga përfundimi ose heqja e lejes për të kryer të gjithë rehabilitimin e duhur.
Nëse kompania dështon ose e braktis zonën, vlera e plotë e garancisë financiare kalon automatikisht në favor të shtetit. Me këto para, shteti do të ndërhyjë vetë përmes kompanive të specializuara për të mbjellë pemë dhe sistemuar territorin, duke zbatuar me përpiktëri parimin evropian “ndotësi paguan”.
Gjithashtu, ligji rregullon edhe pezullimet e punës. Kompanitë nuk mund të bllokojnë më zona minerare pa punuar përmes njoftimeve të thjeshta; çdo pezullim do të kërkojë miratimin e Ministrit dhe nuk do të mund të zgjasë më shumë se 2 vjet.
















