Kontrolli i ndihmës shtetërore pëson një përmbysje radikale strukturore, pasi nuk do të jetë më në dorën e qeverisë. Përmes një projekligji të ri, të gjitha kompetencat vendimmarrëse, hetimore dhe monitoruese që deri më sot ushtroheshin nga struktura nën varësinë e drejtpërdrejtë të ekzekutivit, do t’i kalojnë zyrtarisht Autoritetit të Konkurrencës.
Ky kalim shënon fundin e epokës së Komisionit të Ndihmës Shtetërore — i cili kryesohej nga Ministri i Ekonomisë — dhe transferimin e plotë të këtij funksioni delikat te një institucion kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm. Drafi i propozuar vjen në kuadër të ligjeve që imponon proccesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Qëllimi kryesor i këtij transferimi është garantimi i një pavarësie absolute nga politika dhe vendimmarrja qeveritare. Kur paratë publike, grantet, lehtësitë fiskale apo garancitë shtetërore u shpërndahen ndërmarrjeve të ndryshme, ekziston gjithmonë rreziku i cenimit të konkurrencës së lirë në treg.
Projektligji i ri shton një nen specifik për parandalimin e konfliktit të interesit, duke ndaluar shprehimisht trupën vendimmarrëse që të kërkojë apo pranojë udhëzime nga Këshilli i Ministrave, ministritë apo subjektet private.
Çfarë ndryshon konkretisht në terren?
Me hyrjen në fuqi të strukturës së re, ndryshimet do të jenë të prekshme në disa nivele:
• Komisioni i Konkurrencës bëhet organi suprem vendimmarrës: Ai do të vlerësojë, autorizojë ose ndalojë skemat e ndihmës shtetërore, si dhe do të ketë fuqinë të urdhërojë pezullimin ose kthimin mbrapsht të ndihmave të paligjshme.
• Krijohet një strukturë e posaçme hetimore: Pranë Autoritetit do të funksionojë një sferë teknike që do të grumbullojë të dhënat, do të administrojë regjistrin e ndihmës dhe do të kryejë hetime të pavarura sipas Kodit të Procedurave Administrative.
• Sektorë të rinj nën monitorim: Për herë të parë, fusha e zbatimit zgjerohet duke përfshirë edhe dy sektorë jetikë që më parë ishin të përjashtuar: bujqësinë dhe peshkimin.
• Autoriteti i Konkurrencës fiton të drejtën të vendosë sanksione administrative (gjoba) të rënda për çdo ndërmarrje që refuzon ose manipulon dhënien e informacionit.
• Llogaridhënie direkte në Kuvend: Raportimi vjetor nuk do të kalojë më nga filtrat e qeverisë, por do t’i paraqitet drejtpërdrejt Kuvendit të Shqipërisë brenda datës 30 qershor të çdo viti.
Tranzicioni gjashtëmuajsh
Për të shmangur vakumin institucional, projektligji parashikon një periudhë tranzitore prej 6 muajsh. Gjatë kësaj kohe, Ministria e Ekonomisë dhe Autoriteti i Konkurrencës do të bashkëpunojnë për transferimin e plotë të dosjeve, arkivave aktive, bazave të të dhënave, si dhe për përshtatjen e strukturës buxhetore e njerëzore.
Procedurat administrative që janë nisur dhe nuk kanë përfunduar, do të trashëgohen dhe do të trajtohen nga Autoriteti i Konkurrencës në fazën ku ndodhen.
















