Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas protestës së sotme të studentëve në Tiranë, duke dënuar dhunën ndaj gjashtë efektivëve të policisë që, sipas tij, mbetën të plagosur gjatë përplasjes me protestuesit.
“Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, deklaroi Demo, duke u shprehur solidaritet me efektivët dhe familjet e tyre.
Por në reagimin e ministrit mungon një pjesë tjetër e asaj që ndodhi sot në protestë: denoncimet dhe pamjet e ndërhyrjeve të dhunshme të policisë ndaj protestuesve, përfshirë prangosjen e një të riu pranë hyrjes së institucionit.
Demo kërkon me të drejtë që të mos ushtrohet dhunë ndaj policëve, por nuk thotë asnjë fjalë për përgjegjësinë e uniformave blu kur dhuna ushtrohet ndaj qytetarëve. Nuk njofton nëse do të verifikohen veprimet e efektivëve dhe nëse përdorimi i forcës ka qenë proporcional.
Ministri siguron se Policia e Shtetit do të veprojë me “profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin”. Por pikërisht kjo duhet të provohet edhe për ndërhyrjen e sotme, jo thjesht të deklarohet nga zyra e ministrit.
Sepse e drejta për të protestuar nuk përfundon aty ku fillon shqetësimi i policisë. Dhe detyra e një ministri të Brendshëm nuk është vetëm të mbrojë policët nga protestuesit, por edhe protestuesit nga dhuna jopropocionale e policëve.















