Për rreth tre orë, protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Pavarësisht ndërhyrjes së policisë me gaz lotsjellës dhe autobot me ujë me presion, të rinjtë kanë vijuar qëndrimin e tyre para institucionit.
Protesta nisi me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim, por situata u përshkallëzua gjatë tubimit. Disa protestues hodhën gurë drejt godinës së ministrisë, ndërsa u thyen xhama dhe u shkulën kangjellat e rrethimit, të cilat u përdorën për të goditur ndërtesën.
Pas përshkallëzimit, policia ndërhyri me gaz lotsjellës, ndërsa më vonë përdori edhe autobotin me ujë për të shpërndarë turmën. Gjatë përplasjeve pati edhe shoqërime protestuesish, ndërsa u raportua për efektivë të lënduar.
Ndërkohë, protestës iu bashkuan edhe të rinj të tjerë, të cilët marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Ministrisë së Arsimit.
Studentët dhe protestuesit kërkojnë ndryshime në sistemin arsimor, përmirësimin e kushteve në universitete dhe konvikte, si dhe përgjegjësi nga drejtuesit politikë. Në thirrjet e tyre janë përfshirë edhe kërkesa për dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe kryeministrit Edi Rama.
Pas disa orësh, situata para ministrisë mbetet e tensionuar, ndërsa protesta vijon të shoqërohet me përplasje dhe ndërhyrje të forcave të rendit.















