Dy episode dhune nga forcat e policisë janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në zonën e Medresesë në Tiranë. Në njërën prej videove që qarkullojnë, disa efektivë të forcave Shqiponja shihen teksa ndjekin një të ri, e tërheqin zvarrë dhe e godasin vazhdimisht.
Në një tjetër video, një grup efektivësh policie shihen duke goditur një të ri tjetër, të cilin e rrëzojnë në tokë dhe vijojnë ta dhunojnë. Më pas, policët largohen nga vendngjarja pa e arrestuar.
Dy pamjet tregojnë episode të rënda të dhunës policore, të regjistruara në të njëjtën zonë të kryeqytetit.
Megjithëse drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar se efektivët nuk kanë urdhër për të dhunuar protestuesit, mbrëmjen e sotme janë publikuar sërish pamje që ngrenë pikëpyetje serioze mbi veprimet e forcave të policisë dhe përdorimin e forcës ndaj të rinjve.















