Hetimet e SPAK për dosjen e AKSHI-t kanë zbuluar detaje të reja mbi marrëdhëniet mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila tashmë është nën hetim edhe për korrupsion dhe pastrim parash.
Në qendër të hetimeve janë transferta financiare drejt dy kompanive në Gjermani, dokumente të dyshuara sekrete të SHISH-it të gjetura në automjetin e Agasit, si dhe përdorimi prej tij i targave të posaçme që dyshohet se janë siguruar përmes zyrtarëve të Policisë së Elbasanit.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, SPAK dyshon se Hyseni ka përfituar të paktën 500 mijë euro nga Agasi përmes transfertave drejt kompanive gjermane ku rezultojnë të përfshirë dy vëllezërit e saj.
Pikënisja e hetimit financiar ka qenë një dokument i gjetur në ambientet e kompanisë “EA Tobacco”, në pronësi të Agasit, ku ishte shënuar me dorë shifra 119.162.400 lekë, ekuivalente me rreth 1.2 milionë euro.
Verifikimet kanë identifikuar një transfertë me të njëjtën vlerë nga kompania “Sinteza Co” drejt shoqërisë “Enklo Construction”. Kompania dërguese, në bashkëpunim me “Albascan”, kishte fituar një tender të AKSHI-t me vlerë rreth 18 milionë euro.
Nga kompania “Enklo Construction” rezulton se janë kryer pagesa të tjera, përfshirë blerjen e një automjeti Range Rover për Ergys Agasin, me vlerë 290 mijë euro dhe targa G444A.
E njëjta shoqëri ka transferuar edhe 420 mijë euro drejt kompanisë “Fortis Beton”, në pronësi të biznesmenit Orest Sota.
Kjo e fundit ka realizuar në mars të vitit 2024 dy transferta nga 250 mijë euro secila, me vlerë totale 500 mijë euro, drejt shoqërisë gjermane “Wilhelm & Co Planungsgesellschaft”, ku rezulton i punësuar një prej vëllezërve të Vlora Hysenit.
Pagesat janë justifikuar si shpenzime për projektimin arkitekturor të një qendre tregtare me sipërfaqe rreth 17 mijë metra katrorë në Tiranë, projekt që sipas të dhënave të hetimit nuk është realizuar.
Një tjetër transfertë prej 450 mijë eurosh ishte nisur drejt kompanisë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”, e përfaqësuar nga Izet Dingler, i identifikuar nga SPAK si vëllai tjetër i Hysenit. Megjithatë, kjo pagesë është anuluar më 27 shkurt 2024.
Në total, dyshimet financiare përfshijnë 950 mijë euro transferta të nisura drejt Gjermanisë, nga të cilat 500 mijë euro rezultojnë të transferuara, ndërsa 450 mijë euro janë anuluar.
I pyetur nga hetuesit, Orest Sota ka deklaruar se pagesat kishin lidhje me projektimin e një ndërtese që synonte të realizonte dhe se kompaninë gjermane ia kishte sugjeruar Ergys Agasi.
SPAK dyshon se paratë e përfituara nga kontratat e AKSHI-t janë përdorur për të shpërblyer ish-drejtuesen e SHISH-it në këmbim të informacioneve sekrete. Këto dyshime mbeten objekt hetimi dhe nuk përbëjnë ende përgjegjësi penale të provuar.
Prokuroria e Posaçme ka dërguar letërporosi në Gjermani dhe Kosovë për të siguruar dokumentacion mbi transfertat, kompanitë përfituese dhe lidhjet financiare mes personave të përfshirë.
Një tjetër element i dosjes lidhet me nëntë fletë që përmbajnë diagrame dhe analiza gjurmuese, të zbuluara gjatë kontrolleve në automjetin e Ergys Agasit.
Sipas SPAK, materialet dyshohet se janë prodhuar nga strukturat e SHISH-it dhe përmbajnë të dhëna të përpunuara përmes veprimtarisë operative të shërbimeve informative.
Në arsyetimin e saj, GJKKO vlerëson se mënyra e grumbullimit, analizimit dhe paraqitjes së informacionit është karakteristike për punën e shërbimeve sekrete.
Mbrojtja ka kundërshtuar këtë përfundim, duke argumentuar se nuk ekziston një provë përfundimtare që dokumentet janë prodhuar nga SHISH. Gjykata ka theksuar se origjina e tyre duhet të sqarohet më tej gjatë hetimeve.
Një tjetër dyshim që po verifikohet lidhet me automjetet e përdorura nga Ergys Agasi. Sipas SPAK, zyrtarë të Policisë së Elbasanit dyshohet se e kanë pajisur biznesmenin me targa të paidentifikueshme, të një kategorie që përdoret nga institucione të caktuara shtetërore.
Përdorimi i këtyre targave ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si Agasi ka siguruar akses në mjete identifikimi të rezervuara për struktura shtetërore dhe mbi përfshirjen e mundshme të funksionarëve publikë.
Zhvillimet e fundit vijnë pas hetimeve të mëparshme ndaj Vlora Hysenit për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, në lidhje me dyshimet se ajo ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ai i shmangej drejtësisë.
Ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it vijon masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet mund të zgjerohen më tej në varësi të provave që do të administrohen për marrëdhëniet financiare dhe informacionet e klasifikuara.
Dosja e AKSHI-t përfshin edhe hetime ndaj personave të tjerë, mes tyre zyrtarë dhe individë të dyshuar për veprime që lidhen me fshehjen e provave, ndërhyrjet në procedurat publike dhe veprimtarinë e grupit të dyshuar kriminal.
Në kuadër të këtij hetimi janë kryer kontrolle edhe në ambiente të lidhura me Agasin, përfshirë “Equos Resort”, si dhe në banesën e ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Për Prokurorinë e Posaçme, një nga çështjet kryesore që mbetet për t’u sqaruar është nëse fondet e përfituara nga kontratat publike janë përdorur për pagesa korruptive dhe nëse informacionet e klasifikuara shtetërore kanë përfunduar në duart e personave privatë në kundërshtim me ligjin.













