Shqipëria është rikthyer në faqet e mediave më të rëndësishme ndërkombëtare, këtë herë jo për turizmin apo negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, por për përplasjet mes policisë dhe protestuesve në Ditën e Pavarësisë.
Reuters, Associated Press, AFP, Washington Post, Los Angeles Times, ABC News, Al Jazeera, Euronews, The Independent dhe agjencia italiane ANSA i kanë kushtuar vëmendje protestës së 28 Nëntorit në Tiranë.
Agjencia Reuters e përshkruan manifestimin si një protestë të udhëhequr nga studentët, që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në raportimin e saj, agjencia konfirmon përdorimin e gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës nga policia, si dhe hedhjen e gurëve dhe molotovëve nga protestuesit.
Associated Press i kushton vëmendje edhe pjesëmarrjes së shqiptarëve që kanë udhëtuar nga jashtë vendit për të protestuar. Agjencia amerikane ka intervistuar studentë, emigrantë dhe pensionistë, duke evidentuar pakënaqësitë për korrupsionin, kushtet ekonomike dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
Raportimi i Associated Press është publikuar edhe nga Washington Post, Los Angeles Times dhe ABC News.
Agjencia franceze AFP e përshkruan bulevardin kryesor të Tiranës të mbuluar nga tymi i dendur. Në raportimin e saj përmenden gjithashtu masat e miratuara nga qeveria në fund të tetorit, që parashikojnë gjoba deri në 500 mijë lekë për akte të dhunshme, grabitje apo fshehje të identitetit gjatë protestave.
Agjencia italiane ANSA e përshkruan bulevardin kryesor të kryeqytetit shqiptar si një fushëbetejë mes protestuesve dhe policisë, duke evidentuar kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama.
Al Jazeera e vendos protestën në kontekstin e një lëvizjeje qytetare që nisi në muajin maj, fillimisht kundër projektit turistik të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump, për t’u zgjeruar më pas me kërkesa që lidhen me korrupsionin, shëndetësinë dhe të ardhmen e të rinjve.
Edhe mediat britanike, përfshirë The Independent, evidentojnë akuzat për korrupsion qeveritar dhe mungesën e vendeve të punës, ndërsa gazeta greke Kathimerini dhe televizioni publik irlandez RTÉ raportojnë për përplasjet dhe kërkesën për largimin e Ramës.
Një element që bie në sy në raportimet ndërkombëtare është se protesta e sotme nuk trajtohet si një incident i izoluar, por si vazhdimësi e një vale protestash që prej muajsh kanë përfshirë Shqipërinë.
Në 114-vjetorin e Pavarësisë, fotografitë e Tiranës që po qarkullojnë në mediat botërore janë ato të protestuesve, gazit lotsjellës, flakëve dhe policisë në uniforma antitrazirash.















