Presidenti Begaj dhe kryeministri Rama i dhanë nderimet e fundit gjyqtarit Kalaja, pa dhënë komente për mediat, ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se drejtësia shqiptare humbi një njeri me integritet dhe një profesionist të rrallë. “Kjo është një humbje e madhe për sistemin e drejtësisë dhe një kambanë alarmi për sigurinë e gjyqtarëve”, deklaroi ai.
Edhe kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, u shpreh se vrasja e Kalasë është një goditje për të gjithë sistemin e drejtësisë. “Nuk është vrarë vetëm një gjyqtar, është vrarë vetë drejtësia. Kjo ngjarje duhet të zgjojë ndërgjegjen e institucioneve dhe të gjithë atyre që mbrojnë rendin ligjor”, tha Haxhia, duke theksuar se frika dhe pasiguria janë bërë pjesë e përditshme e punës së magjistratëve.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili e cilësoi sigurinë në gjykatat shqiptare “në nivelin zero”, duke kërkuar masa urgjente për mbrojtjen e trupës gjyqësore.
Ndërkohë, opozita ka dorëzuar kërkesë zyrtare në Konferencën e Kryetarëve, që gjyqtari Astrit Kalaja të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, duke argumentuar se ai humbi jetën në krye të detyrës, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij për drejtësi dhe ligj.
Gjyqtari 62-vjeçar Astrit Kalaja, me mbi 30 vite përvojë në sistemin gjyqësor, u vra më 6 tetor gjatë një seance në Gjykatën e Apelit. Autori, Elvis Shkambi, e qëlloi me armë pas shpalljes së vendimit për një çështje pronësie. Për ngjarjen janë arrestuar edhe xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi, dhe roja i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj, që dyshohet se e lejoi hyrjen e armatosur në sallë.
Pas ceremonisë në Tiranë, trupi i gjyqtarit Kalaja do të përcillet drejt Shkodrës, qyteti i tij i lindjes, ku do të prehet në varrezat e qytetit.














