Policia e Shtetit arrestoi në Tiranë Aldo (Elidon) Avdylin, 37-vjeçar nga Shijaku, i njohur për përfshirjen në disa ngjarje kriminale dhe i shpallur në kërkim nga SPAK. Ai u kap në një apartament pranë zonës së “Liqenit të Thatë”, i marrë me qira nga Dorjan Sherifi, ku sipas hetimeve kishte ngritur një bazë për përgatitjen e një atentati.
Sipas burimeve të hetimit, Avdyli kishte zgjedhur këtë zonë për t’u strehuar dhe për të krijuar kushte për një vrasje të planifikuar. Gjurmimi i tij u bë i mundur falë një gafe taktike që ai kishte bërë në fillim të tetorit, kur kërcënoi me telefon nën/drejtorin e policisë së Durrësit, Bujar Deliallisi, në periudhën kur policia po zhvillonte kontrolle për ta kapur.
Avdyli ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila kishte vendosur ndaj tij dy masa sigurie “arrest me burg”. E para, në maj 2024, lidhej me akuzën e “sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” ndaj Durim Bamit, ndërsa masa e dytë u vendos në tetor 2025, për organizimin dhe financimin e Edmir Koçit (alias Maloku) në vitin 2021.
Sipas dosjes hetimore, 37-vjeçari ishte pjesë e një grupi me mbi 16 persona që planifikonin eleminimin fizik të Durim Bamit, por pa mundur ta realizonin. Nën presionin e masave të reja të sigurisë, ai ishte zhvendosur në Tiranë, ku vijonte të qëndronte i fshehur.
Për kapjen e tij, policia kriminale përdori pajisjen përgjuese “IMSI Catcher”, një mjet izraelit që lejon identifikimin dhe lokalizimin e dhjetëra numrave telefonikë njëkohësisht. Përmes kësaj pajisjeje, u zbulua vendndodhja e Avdylit pranë një kazinoje në “Liqenin e Thatë”.
Të dhënat e përgjuara treguan se ai mund të po përgatitej për një tjetër atentat, ndaj policia vendosi të ndërhynte menjëherë. Në mëngjesin e tre ditëve më parë, forcat RENEA dhe njësitë operacionale rrethuan zonën, duke e arrestuar pa rezistencë, megjithëse ai ishte i armatosur.
Pas arrestimit, Avdyli u shoqërua në ambientet e policisë së Tiranës, ku u mor në pyetje për dy ngjarje të tjera kriminale— vrasjen e Bujar Nasufit më 21 janar 2025 dhe vrasjen e Iljaz Çalit më 3 prill 2022 në autostradën Tiranë-Durrës. Ai mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar se “çfarë di për këto ngjarje i kam dëgjuar dhe parë në televizor”.
Policia i kërkoi Avdylit të jepte një kampion ADN-je për krahasim me gjurmët e gjetura në disa vendngjarje, gjë të cilën ai e pranoi. Pas procedurave, ai u dërgua në masën e sigurisë “arrest me burg”, të vendosur nga Gjykata e Posaçme (SPAK).














