Një nga bosët më të rrezikshëm ndërkombëtarë të drogës, i shpallur prej vitesh në kërkim nga autoritetet amerikane, është arrestuar në Europë, plot katër vite pasi kishte inskenuar vdekjen e tij.
Wilmer Chavarria, i njohur me nofkën “Pipo”, lideri i dyshuar i bandës së përgjakshme Los Lobos në Ekuador, u ndalua të dielën në qytetin spanjoll të Malagës në një operacion të përbashkët mes policisë spanjolle dhe asaj ekuadoriane. Ai kishte mbërritur në Spanjë me avion nga Maroku.
Familjarët e Chavarrias pretenduan në vitin 2021 se ai kishte ndërruar jetë pas një ataku kardiak të shkaktuar nga COVID-19. Por hetimet zbuluan se ai kishte siguruar një pasaportë të falsifikuar kolumbiane dhe një identitet të rremë venezuelas, për të ikur nga vendi në vitin 2022.
Sipas autoriteteve, për të shmangur identifikimin, ai iu nënshtrua shtatë ndërhyrjeve kirurgjikale për të ndryshuar pamjen dhe përdorte emrin e rremë Danilo Fernandez. Gjatë këtyre viteve, ai ka lëvizur lirisht midis Dubait, Marokut, Italisë, Holandës dhe Gjermanisë, duke qëndruar në disa nga hotelet më luksoze të kontinentit.
Sipas ministrit të Brendshëm të Ekuadorit, John Reimberg, “Pipo” ka vazhduar të koordinojë trafikun ndërkombëtar të drogës, ka urdhëruar vrasje në Ekuador dhe ka kontrolluar operacione të paligjshme të minierave, duke bashkëpunuar ngushtësisht me kartelin meksikan Jalisco New Generation.















