Një operacion i gjerë antidrogë i Policisë së Tiranës ka çuar në arrestimin e 22 personave, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar që merrej me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Aksioni ka pasur ndikim të fortë publik dhe institucional, pasi mes të arrestuarve rezultojnë edhe persona me pozicione drejtuese në kompaninë telefonike ONE Albania sipas Infonews.al.
Sipas burimeve zyrtare, në pranga kanë rënë edhe Erald Sina, Drejtues i Departamentit të Zyrave dhe Pasurisë në ONE Albania, si dhe Artan Pullazi, Team Leader në të njëjtën kompani. Përfshirja e tyre ka ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin e individëve me funksione drejtuese në kompani të mëdha private dhe ka vendosur ONE Albania në qendër të vëmendjes mediatike.
Lista e personave të arrestuar
Policia bën me dije se gjatë operacionit janë arrestuar Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela, Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.
Çfarë u sekuestrua gjatë operacionit
Gjatë kontrolleve në banesa dhe automjete, uniformat blu kanë sekuestruar rreth 500 gramë kokainë, 10 kilogramë Cannabis Sativa, 100 doza të gatshme për shpërndarje, pesë automjete, 28 telefona celularë, gjashtë peshore elektronike dhe 3 mijë euro para cash.
Hetimet vijojnë
Burime nga policia bëjnë me dije se pesë persona janë arrestuar më herët në operacione të mëparshme të lidhura me këtë grup, ndërsa gjashtë shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim dhe dyshohet se janë pjesë e së njëjtës strukturë kriminale. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal, rolet e secilit person dhe lidhjet e mundshme mes veprimtarisë së paligjshme dhe pozicioneve profesionale që disa prej të dyshuarve mbanin.
Hetim paralel për fshehjen e një sulmi në ONE Albania
Paralelisht me operacionin antidrogë, organet e hetimit kanë nisur një procedim të veçantë ndaj tetë personave për fshehjen e një sulmi të ndodhur në ambientet e kompanisë telefonike ONE Albania. Shtatë prej tyre janë punonjës të sigurisë, si të brendshme të kompanisë ONE ashtu edhe të shoqërisë private të kontraktuar për sigurinë, “Nazeri 2000”.
Mes personave nën hetim është sërish Erald Sina, çka e thellon më tej rëndesën e çështjes dhe ndikimin e saj publik.
Personat e vënë nën hetim janë Erald Sina, Gentian Koçi, Arsil Feshti, Alfred Zylalaj, Gezim Sala, Koço Veneti, Myzafer Dinoshi dhe Ismet Tartari.
Autoritetet nuk përjashtojnë zgjerimin e hetimeve, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja lidhur me këtë çështje. /korrieri















