Partia Socialiste mbledh këtë të shtunë Asamblenë Kombëtare në Gjirin e Lalëzit, ku pritet të përcaktohen hapat e ardhshëm politikë dhe organizativë të mazhorancës. Takimi, i parashikuar të nisë në orën 10:30, zhvillohet në prag të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, por edhe në një klimë debatesh brenda socialistëve.
Kryeministri Edi Rama pritet të hapë punimet e Asamblesë me një fjalim, ku në qendër do të jenë strategjia elektorale, riorganizimi i strukturave dhe kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve që do të garojnë për drejtimin e bashkive.
Vëmendje të veçantë pritet të marrin kandidaturat për Tiranën dhe Shkodrën. Në diskutimet politike është përmendur Ervin Demo si një kandidat i mundshëm për kryeqytetin, ndërsa për Shkodrën qarkullon emri i Enea Karakaçit, i cili mund të përballet me Kliti Hotin. Megjithatë, asnjë prej këtyre emrave nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në të njëjtën kohë, nuk përjashtohet mundësia që disa anëtarë të kabinetit qeveritar të përfshihen në garën për bashkitë, çka mund të sillte edhe lëvizje në përbërjen e qeverisë.
Një tjetër çështje që rëndon mbi mbledhjen e socialistëve është situata e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim në Fier. Veliaj ka kërkuar të marrë pjesë në Asamble, fizikisht ose përmes videokonferencës, duke iu drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, dhe SPAK-ut.
Marrëdhëniet mes tij dhe kryeministrit Rama janë shoqëruar së fundmi me përplasje publike. Veliaj ka pretenduar se transferimi i tij në Fier është urdhëruar nga kryeministri, ndërsa ka deklaruar gjithashtu se gjatë një takimi në burg me ministrin Gogu i është kërkuar të delegojë kompetencat për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Pikëpyetje ka edhe për ndryshime të mundshme në kabinetin qeveritar. Precedenti i Asamblesë së shtatorit 2023, kur Rama prezantoi një riorganizim të qeverisë, ka shtuar pritshmëritë se edhe takimi i sotëm mund të shoqërohet me vendime për poste ministrore.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse gjatë punimeve do të diskutohet mocioni i Elisa Spiropalit, e cila ka kërkuar një hapje më të madhe të Partisë Socialiste dhe një orientim të ri politik përmes nismës së saj për një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”.
Asambleja zhvillohet gjithashtu në një periudhë tensionesh politike dhe protestash, përfshirë mobilizimin e studentëve gjatë muajve të fundit.
Përtej diskutimeve të brendshme, Rama pritet të kërkojë angazhimin e plotë të strukturave socialiste për zgjedhjet e ardhshme vendore. Në përfundim të mbledhjes do të bëhet më e qartë nëse socialistët do të dalin vetëm me orientime politike apo edhe me vendime konkrete për kandidaturat, drejtimin e partisë dhe përbërjen e qeverisë.
















