Tre tendera të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes janë shndërruar në një maskaradë korruptive me dy ofertues të njëjtë dhe goditje në kokë të fondit limit. Kompanitë 4 A-M dhe REJ shpk kanë kërcyer një tango plaçkitje me vlerë 4.8 milionë euro, ku indiciet për garë fiktive shkojnë përtej dyshimeve të arsyeshme.
Bëhet fjalë për tenderin e zhvillimit të rrjetit elektrik 20 kilovolt në Pogradec. Ky tender me vlerë totale 4.8 milionë euro ishte i ndarë në tre lote, të cilat u zhvilluan në të njëjtën ditë, në datën 5 mars.
Loti i parë kishte një fond limit prej 215 milionë e 962 mijë lekë ose 2.24 milionë euro. Në këtë lot paraqitën oferta dy kompani. Shoqëria 4 A-M ofertoi çmimin 211.6 milionë lekë, ndërsa REJ shpk dha ofertën 215.9 milionë lekë ose në kokë të fondit limit. OSSH shpalli fituese 4-AM.

Loti i pare
Në lotin e dytë, fondi limit ishte caktuar 130.36 milionë lekë. Në këtë lot morën pjesë sërish të njëjtat kompani dhe skema e ofertave ishte sërish e njëjta. Kompania 4 A-M ofroi çmimin 127.7 milionë lekë, ndërsa shoqëria REJ ofroi me 130.36 milionë lekë, sërish në kokë të fondit limit. Edhe këtu u shpall fituese 4-AM.

Loti i dyte
Por tangoja e plaçkitjes ka vazhduar identik edhe në lotin e tretë. Në këtë lot, ku fondi limit ishte caktuar 116.98 milionë lekë, 4 A-M paraqiti ofertën 114.6 milionë lekë, ndërsa REJ sërish në kokë të fondit limit me 116.98 milionë lekë. Edhe në këtë lot, OSSH shpalli fituese kompaninë 4 A-M.

Loti i trete
Tenderi për rrjetin 20 kilovolt të Pogradecit në fakt është një maskaradë e mirëfilltë korruptive. Skema në këtë rast është e qartë. Tenderat janë caktuar për shoqërinë 4 A-M, ndërsa REJ shpk e Luan Kaprit ka shërbyer si mbushës topi. Në fakt, REJ ka qenë nënkontraktori i 4 A-M në disa kontrata publike në zonën Korçë-Pogradec.

Valsi korruptiv
Në manualet e tenderave të manipuluar ky është rasti klasik i kartelit në kontratat publike, një fenomen i cili ndodh rëndom në Shqipëri, por që nuk është konstatuar asnjëherë nga Autoriteti i marrë fund i Konkurrencës.
Megjithatë kjo është një tango plaçkitje e cila nuk mund të kërcehet dot pa dakortësinë e autoritetit kontraktor, në këtë rast OSSH-së. Sepse arkitekti i verëtetë i tenderave farsë, veçanërisht ata që bëhen kaq haptazi sa ky, është gjithmonë autoriteti kontraktor.
Por problemi i madh nuk është fakti që dy kompani dhe një institucion përfshihen në një vals manipulimi tenderash. Problemi real qëndron tek fakti se kjo bëhet haptazi si një dëshmi monumentale se reforma në drejtësi, SPAK-u dhe GJKKO i pinë lëngun korrupsionit. /kapitali.al














