Policia e Sarandës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së Rexhep Ismailit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Qafë Gjashtë.
Sipas policisë, autori i dyshuar është shtetasi L. T., i cili dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, pronar i lokalit ku ndodhi konflikti.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 21:30, në një lokal në Qafë Gjashtë. Policia bëri të ditur se konflikti nisi fillimisht me sende të forta mes disa personave dhe më pas përshkallëzoi në përdorimin e armëve të zjarrit.
Për pasojë, mbeti i vrarë Rexhep Ismaili, 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.
Policia dyshon se gjatë konfliktit është plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.
Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se L. T., pasi qëlloi Rexhep Ismailin, u largua nga vendi i ngjarjes bashkë me persona të tjerë të përfshirë në konflikt dhe me shtetasin që dyshohet se mbeti i plagosur.
Ka dyshime se gjatë tentativës për t’u larguar, autori i dyshuar është qëlluar nga persona të tjerë që ndodheshin brenda lokalit, por kjo pistë mbetet ende objekt hetimi.
Shërbimet e policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit të dyshuar dhe të personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Njëkohësisht, policia po ushtron kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e personit që dyshohet se ka mbetur i plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.








