Detaje të reja dalin në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Lozhan të Maliqit, ku humbi jetën efektivi i policisë, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.
Mësohet se lëvizjet e të shumëkërkuarit Violand Braçellari kishin mbërritur në Polici që një ditë më parë. Sipas të njëjtave burime, 43-vjeçari ishte parë duke lëvizur lirshëm në fshat, ndërsa më pas dyshohet se ishte strehuar në stanin ku ndodhi edhe përplasja me forcat e policisë.
Ndërsa kanë nisur hetimet për ngjarjen, ka pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si është organizuar operacioni policor. Mësohet se në terren kanë ndërhyrë vetëm rreth 40 efektivë të forcës “Shqiponja”, pavarësisht historikut të gjatë kriminal dhe nivelit të lartë të rrezikshmërisë të Braçellarit. Ky fakt ka ngritur dyshime mbi vlerësimin e riskut dhe planin operacional të ndjekur, sidomos duke pasur parasysh se i shumëkërkuari kishte mundur t’u shpëtonte disa operacioneve të mëparshme.
Braçellari kishte shmangur të paktën katër operacione të mëhershme të forcave speciale, çka shton pikëpyetjet se përse në këtë ndërhyrje nuk kishte mbështetje nga forcat RENEA.
Në fokus të kritikave është drejtori Policisë së Korçës, Vilson Bala, i cili ka marrë detyrën prej pak muajsh.
















