Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontrolle në vilën dhe ambientet e zyrave të biznesmenit Samir Mane, në kuadër të hetimeve të SPAK për një prej dosjeve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave.
Kontrollet janë kryer me vendim të GJKKO-së, ndërsa burime mediatike bëjnë me dije se gjatë operacionit është sekuestruar edhe telefoni celular i biznesmenit, i cili pritet t’i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme nga hetuesit.
Ky zhvillim vjen si vijim i megaoperacionit të SPAK, që goditi tre grupe të dyshuara kriminale, të cilat sipas hetimeve dyshohet se kanë vepruar në fushën e trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave.
Në qendër të dosjes janë grupet e lidhura me Artur Shehun, Artur Koçekun, i njohur edhe si Luçiano Koçeku, dhe Alfredo Hamzain.
Sipas materialeve hetimore, të ardhurat e përfituara nga trafiku i drogës dyshohet se janë kanalizuar në sektorin e ndërtimit, përmes investimeve të dyshimta dhe lidhjeve me biznesmenë të ndryshëm.
Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe dyshime për investime në projektin Green Coast në Palasë, një nga resortet më të njohura në bregdetin shqiptar, i lidhur me grupin e biznesmenit Samir Mane.
Emri i Manes rezulton i përmendur në materialet hetimore të SPAK, ndërsa kontrolli i kryer nga BKH në banesën dhe zyrat e tij shihet si një lëvizje e rëndësishme e hetuesve për të verifikuar lidhjet, komunikimet dhe materialet që mund të kenë vlerë për dosjen.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se gjatë kontrolleve janë sekuestruar pajisje dhe materiale të ndryshme, të cilat do të analizohen nga SPAK dhe BKH. Telefoni celular i biznesmenit është një nga provat materiale të marra për ekspertim, me qëllim verifikimin e komunikimeve dhe kontakteve që mund të lidhen me çështjen nën hetim.
Deri në këtë fazë, nuk ka një reagim publik nga Samir Mane për kontrollet e kryera në vilën dhe zyrat e tij, ndërsa SPAK nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar të detajuar për rolin e tij në këtë dosje.
Kontrollet ndaj një prej emrave më të mëdhenj të biznesit në Shqipëri e zgjerojnë më tej rrezen e hetimeve të SPAK, duke e zhvendosur fokusin nga grupet kriminale të trafikut të drogës drejt sektorëve ku dyshohet se janë pastruar milionat e përfituara nga aktiviteti kriminal.
Sipas burimeve mediatike, përgjime dhe komunikime të përfshira në dosjen hetimore hedhin dritë mbi një marrëveshje të dyshuar që lidhet me përfshirjen e tokës së Alfredo Hamzait në kompleksin rezidencial “Green Coast”.
Në materialet hetimore thuhet se në shkurt të vitit 2021 është diskutuar pagesa e një shume prej 2 deri në 3 milionë euro, e cila, sipas dyshimeve të hetuesve, do të shërbente për sigurimin e lejes së ndërtimit për projektin rezidencial.
Në komunikime përmendet biznesmeni Samir Mane, ndërsa si ndërmjetës i mundshëm identifikohet Ilir Shtufi.
Në një bisedë të datës 24 shkurt 2021, Artur Koçeku i komunikon Alfredo Hamzait se pas kontakteve me Ilir Shtufin dhe Samir Manen, këtij të fundit i kërkohej një shumë prej 3 milionë eurosh për përfshirjen e tokës në kompleks.
Sipas analizës së bisedave të datës 27 shkurt 2021, palët dyshohet se kanë rënë dakord për pagesën e shumës së kërkuar. Dokumenti hetimor ngre dyshime se një pagesë paraprake prej rreth 1 milion eurosh mund të jetë kryer tashmë.
Materialet e dosjes sugjerojnë gjithashtu se marrëveshja parashikonte ndërtimin e 40 vilave, ku 20% e tyre do t’i përkisnin Alfredo Hamzait.
Ndërkohë, Artur Koçeku shprehet se ka kërkuar një hotel me 120 dhoma, i cili do të ishte në pronësi të tij dhe të Hamzait.
Autoritetet vijojnë hetimet për të verifikuar vërtetësinë e këtyre komunikimeve, rrjedhën e parave dhe përgjegjësitë e mundshme të personave të përmendur në dosje.











