Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet në kuadër të dosjes së njohur si “Veliaj 2”, duke u përqendruar te udhëtimet jashtë vendit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, gjatë viteve 2022 dhe 2023.
Sipas informacioneve të raportuara, hetuesit po verifikojnë destinacionet, qëllimin dhe mënyrën e financimit të këtyre udhëtimeve, si edhe deklarimin e shpenzimeve të kryera gjatë tyre.
Nga dokumentacioni i sekuestruar në Bashkinë e Tiranës dhe të dhënat e administruara nga sistemi TIMS dyshohet se Veliaj ka realizuar më shumë se 100 dalje jashtë Shqipërisë gjatë periudhës dyvjeçare.
Pjesë e verifikimeve janë edhe shpenzimet e udhëtimeve, për të përcaktuar burimin e financimit dhe nëse ato janë pasqyruar në dokumentacionin zyrtar dhe në deklaratat e pasurisë.
Sipas burimeve të cituara, për një pjesë të madhe të rasteve nuk rezulton ende dokumentacion i plotë mbi deklarimin e kostove, ndërsa hetuesit po krahasojnë të dhënat financiare me regjistrat e lëvizjeve jashtë vendit.
Byroja Kombëtare e Hetimit po shqyrton gjithashtu materialet mediatike të publikuara gjatë ditëve kur Veliaj rezultonte jashtë Shqipërisë.
Në disa prej këtyre rasteve, në rrjetet sociale të Bashkisë së Tiranës janë publikuar pamje të kryebashkiakut në aktivitete publike, të cilat dyshohet se ishin regjistruar më herët.
Hetimet për udhëtimet dhe shpenzimet janë ende në zhvillim dhe mbetet për t’u përcaktuar nëse nga verifikimet do të lindin akuza të tjera penale.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 dhe po përballet në Gjykatën e Posaçme me 13 akuza penale.
Në të njëjtin proces po gjykohen edhe bashkëshortja e tij dhe disa persona të tjerë të marrë të pandehur në kuadër të dosjes.
















