Zbardhen detaje të reja nga konflikti i dhunshëm i regjistruar në dhomën e ajrimit në burgun e sigurisë së lartë në Fier, ku dy të burgosur mbetën të plagosur pas përdorimit të mjeteve të improvizuara dhe brisqeve të rrojës.
Mësohet se në konflikt janë përfshirë tre të burgosur, Denis Bajri, Aldo Gjini dhe Jurgen Zotaj. Ndryshe nga dyshimet e para për një larje hesapesh apo përplasje mes grupeve, hetimet paraprake flasin për një zënkë të momentit.
Sipas të dhënave të para, tre të burgosurit kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin dhe konsideroheshin shokë brenda ambienteve të burgut.
Dy të plagosurit, pasi morën ndihmën mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit, kanë lënë spitalin pasi gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar dhe janë rikthyer në burg.
Ndërkohë, grupi hetimor dhe drejtoria e institucionit pritet të këqyrin pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur plotësisht dinamikën e konfliktit, mënyrën e sigurimit të mjeteve prerëse dhe rolin e secilit prej të përfshirëve./vna.al
















