Pas shqetësimit të ngritur gjatë ditës për ndotjen e ujërave në Gjirin e Lalzit, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës ka reaguar duke mohuar që ngjyrosja e errët e ujit të jetë shkaktuar nga shkarkimi i ujërave të zeza.
Shoqëria pretendon se ngjyra e errët është krijuar nga balta, llumrat dhe sedimentet e grumbulluara në kanal, të cilat janë trazuar nga lëvizja e ujit, baticat dhe zbaticat, si dhe nga erërat dhe dallgët e forta të ditëve të fundit.
Në reagim thuhet gjithashtu se nga kontrollet nuk është konstatuar prani e ujërave të zeza në zonën e evidentuar. Sipas SHRUKD, rezidencat e kësaj zone janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve dhe ujërat e ndotura përcillen drejt Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Lalëz.
Shoqëria deklaron se impianti funksionon 24 orë në 24 dhe se situata do të vijojë të monitorohet.
Reagimi vjen pas pamjeve të publikuara gjatë ditës, ku u shfaq një segment i vijës bregdetare me ujë të errët, duke ngritur dyshime për ndotje pikërisht në kulmin e sezonit turistik.
Megjithatë, përtej shpjegimit të dhënë nga Ujësjellësi, pamjet e situatës kanë ngritur shqetësime për gjendjen e ujërave në një prej zonave më të frekuentuara të bregdetit shqiptar.
















