nga Gazeta Korrieri
Për më shumë se dy dekada, Samir Mane ka ndërtuar një perandori biznesi në Shqipëri, por rritja e BALFIN nuk është zhvilluar thjesht në një treg të lirë ku shteti qëndron mënjanë. Përkundrazi, qeveri të ndryshme i kanë hapur rrugën grupit me politika fiskale, prona publike, statuse speciale dhe vendime që kanë ulur ndjeshëm kostot e investimeve.
Një nga goditjet e para të mëdha financiare ishte Euromax. Mane e krijoi rrjetin në vitin 2005 dhe vetëm tre vjet më vonë e shiti për një vlerë zyrtare prej 29 milionë eurosh, pasi kishte arritur në 14 supermarkete dhe 24 milionë euro xhiro.
View this post on Instagram
Shitja ndodhi pikërisht në vitin kur qeveria e Sali Berishës, me Ridvan Boden ministër Financash, futi taksën e sheshtë 10%, duke ulur ndjeshëm barrën fiskale mbi të ardhurat dhe fitimet e larta krahasuar me sistemin e mëparshëm.
Por nëse marrëdhënia mes biznesit të Manes dhe shtetit nisi të diskutohej që në vitet e Berishës, ajo u bë shumë më konkrete dhe e matshme nën qeverinë e Edi Ramës.
Në Palasë, Green Coast 2 mori vulën magjike të “investitorit strategjik – procedurë e veçantë”: procedura prioritare, asistencë shtetërore dhe akses në masa mbështetëse që biznesi i zakonshëm shqiptar vetëm mund t’i ëndërrojë. Vetë vendimi i KIS parashikonte një projekt prej 60.8 milionë eurosh dhe përdorimin e bregdetit sipas vendimeve të posaçme të qeverisë.
Më pas erdhi prona.
Në korrik 2022, qeveria miratoi kalimin nga pronë shtetërore në pronë private të 8,774 metrave katrorë tokë në Palasëpër Green Coast. Tre parcela shtetërore, në një nga zonat më të shtrenjta të bregdetit shqiptar, kaluan te kompania e grupit përmes një kontrate shitjeje të miratuar nga vetë Këshilli i Ministrave.
Dhe zinxhiri i privilegjeve nuk mbaroi aty.
Në vitin 2023, qeveria i dha Green Coast statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special”, një status që e fut investimin në paketën e privilegjuar fiskale të krijuar nga shteti për turizmin elitar.
Ndërkohë BALFIN u bë ortak me 10% edhe në Vlora Marina, një tjetër projekt ku pasuria publike është vënë masivisht në dispozicion të privatit.
Në këtë rast bëhet fjalë për 57,502 metra katrorë truall shtetëror në zemër të Gjirit të Vlorës, të dhënë për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro, mbi të cilët projekti parashikon apartamente dhe hotele. BALFIN hyri në shoqëri në vitin 2022, pasi statusi strategjik dhe kontrata e qirasë ishin siguruar.
Pra skema është e qartë: shteti vendos pronën, ul kostot, krijon statusin strategjik dhe hap korsinë e shpejtë administrative; privati ndërton dhe shet.
Rasti Univers City Residence e çon historinë edhe më tej.
Dokumentet e publikuara nga mediat tregojnë se trualli ku po ndërtohej projekti pranë QTU-së rezultonte në ndarjen territoriale të vitit 2015 pjesë e Bashkisë Tiranë. Në vitin 2020, kufiri u ndryshua dhe territori kaloi në Bashkinë Kamëz përmes një procesi administrativ të nisur me shkresë nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Dallimi nuk ishte i vogël: taksa e ndikimit në infrastrukturë ishte 8% në Tiranë dhe 4% në Kamëz.
Sipas përllogaritjes mbi përmasat e projektit, ndryshimi i kufirit mund t’i ketë kursyer projektit deri në 14 milionë euro taksë infrastrukture.
Pra, nga Palasa në Kamëz e deri në Vlorë, modeli përsëritet: prona publike, tarifa simbolike, taksa më të ulëta, statuse strategjike dhe vendime shtetërore që krijojnë avantazhe me vlerë miliona euro.
Por çfarë bën BALFIN me kapitalin që akumulon?
E çon gjithnjë e më shumë jashtë Shqipërisë.
Në prill 2026, vetë grupi njoftoi se kishte kaluar 100 milionë euro investime në Austri dhe se synonte t’i çonte ato në 200 milionë euro. BALFIN bleu gjithashtu Nordbahnstraße 50 në Vjenë, një pronë historike prej rreth 16 mijë metrash katrorë, ndërsa Austria po përdoret tashmë si trampolinë për zgjerimin drejt Gjermanisë.
Këtu qëndron paradoksi i madh.
Shteti shqiptar përdor pronën e shqiptarëve dhe sistemin fiskal për t’i krijuar një miliarderi kushte “strategjike”, ndërsa kapitali i krijuar nga kjo perandori po financon një zgjerim gjithnjë e më agresiv jashtë Shqipërisë.
Paratë nuk kanë atdhe për biznesmenin. Por prona publike ka pronar: qytetarët shqiptarë.
Dhe kur shteti heq dorë nga taksa, jep bregdetin për dekada, kalon toka publike te privati apo krijon kushte të posaçme për një investitor, nuk po bën bamirësi me pronën e vet. Po përdor pasurinë e qytetarëve.
Prandaj pyetja nuk është nëse Samir Mane ka të drejtë të blejë godina në Vjenë. Ka çdo të drejtë.
Pyetja është pse shqiptarët duhet t’i subvencionojnë rritjen përmes pronës publike dhe privilegjeve fiskale, ndërsa frytet e kapitalit të krijuar prej kësaj rritjeje përdoren për të ndërtuar një portofol qindra milionë eurosh në Austri dhe më tej.
Shqipëria i jep tokën, bregdetin dhe lehtësitë. Mane merr fitimin dhe ndërton perandorinë ndërkombëtare.
Nëse ky quhet “investim strategjik”, atëherë mbetet për t’u sqaruar: strategjik për Shqipërinë, apo strategjik për Samir Manen? /Gazeta Korrieri















