Florjan Vuka, i njohur edhe me aliasin Vathaj, është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të drogës.
Vuka dyshohet nga SPAK se ka qenë pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Jetmir Papa, një strukturë që sipas hetimeve ka operuar në disa shtete dhe është përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës drejt Europës.
Pas mbërritjes në Shqipëri, Vuka pritet të përballet me Gjykatën e Posaçme, e cila do të shqyrtojë masën e sigurisë ndaj tij. Çështja i është caktuar me short elektronik gjyqtares Alma Kodraliu, e cila do të vlerësojë nëse masa shtrënguese duhet të vijojë.
Sipas dosjes së SPAK, aktiviteti i grupit është shtrirë në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë. Hetuesit dyshojnë se gjatë periudhës 2019-2021, grupi ka realizuar të paktën tetë episode të trafikut të sasive të konsiderueshme të kokainës.
Prokuroria e Posaçme vlerëson se në total, grupi kriminal ka trafikuar rreth 7.5 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve europiane.
Hetimi për këtë rrjet kriminal vijon nën drejtimin e prokurorit Alfred Shehu, ndërsa pritet që dalja e Vukës para GJKKO-së të përcaktojë pozicionin e tij në procedimin penal.















