Ogerta Manastirliu ka rinisur takimet në terren në Tiranë, në një moment kur brenda Partisë Socialiste vijon debati për drejtimin e kryeqytetit dhe emrin që mund të përfaqësojë socialistët në të ardhmen.
Ndalesa e radhës ishte në familjen Nurçe, ku Manastirliu zhvilloi një takim me banorë dibranë të Tiranës dhe dëgjoi shqetësimet e tyre për lagjen dhe përditshmërinë.
“Me dibranë të Tiranës, që e dinë mirë ç’do të thotë dera e hapur dhe mikpritja. Në familjen Nurçe, për të biseduar nga afër, për familjen, lagjen dhe përditshmërinë e tyre. Për punët e kryera dhe për disa kërkesa të drejta që i dëgjova, për t’u rikthyer së shpejti me përgjigje”, shkroi Manastirliu.
Aktivizimi i saj në terren vjen në një moment të veçantë politik për mazhorancën. Pas arrestimit të Erion Veliajt, Manastirliu është parë vazhdimisht pranë kryeministrit Edi Rama dhe është konsideruar si një prej emrave më të afërt me planin politik të tij për Tiranën.
Edhe pse skenari i zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet u zbeh, angazhimi i Manastirliut në terren nuk është ndërprerë. Përkundrazi, takimet me banorët dhe fokusi te problematikat konkrete të lagjeve po e mbajnë atë në qendër të aktivitetit politik të PS-së në Tiranë.
Në të njëjtën kohë, brenda socialistëve ka edhe një tjetër emër që ka shprehur hapur ambicien për kryeqytetin. Deputeti Erjon Braçe ka deklaruar publikisht se dëshiron të kandidojë për Tiranën dhe ka kërkuar zhvillimin e primareve brenda PS-së për përzgjedhjen e kandidatit.
Rama, megjithatë, nuk i ka komentuar publikisht pretendimet e Braçes, ndërsa vijon të japë sinjale politike që e mbajnë Manastirliun në një pozicion të privilegjuar për Tiranën.
Postimi i sotëm, i shoqëruar edhe me hashtagët “BESA” dhe “Prania Besnike”, përforcon idenë se Manastirliu po rikthehet në terren jo vetëm për takime sociale, por si pjesë e një aksioni politik gjithnjë e më të dukshëm në kryeqytet.
















