Ish-sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe këshilltari aktual i presidentit Vladimir Putin, Nikolai Patrushev, ka kërcënuar Poloninë me përdorimin e të gjithë potencialit ushtarak të Moskës në rast të një konflikti të armatosur.
“Nëse Polonia hyn në luftime kundër Rusisë, vendi ynë do të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe mjeteve që ka në dispozicion dhe Varshava do të pushojë së ekzistuari brenda dy ose tri ditësh”, deklaroi Patrushev.
Deklarata u bë në një intervistë për gazetën ruse “Arguments and Facts” dhe u transmetua gjithashtu nga agjencia shtetërore TASS.
Patrushev nuk specifikoi se çfarë nënkuptonte me përdorimin e “të gjithë arsenalit të forcave dhe mjeteve”.
Ai nuk iu referua drejtpërdrejt armëve bërthamore, megjithëse Rusia zotëron një prej arsenaleve më të mëdha bërthamore në botë.
Kërcënimi erdhi si reagim ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm polak, Rados?aw Sikorski, gjatë konferencës “Yalta European Strategy”, të zhvilluar në Kiev më 12-13 shtator.
Sikorski argumentoi se në rast të një sulmi rus kundër NATO-s, Aleanca do të ishte në gjendje t’i mposhtte shpejt forcat ruse.
“Nëse Rusia do të na sulmonte dhe ne do t’i hiqnim dorezat, mendoj se do ta mposhtnim Rusinë mjaft shpejt”, deklaroi ai.
Kryediplomati polak vuri theksin veçanërisht te epërsia ajrore e NATO-s.
Sipas tij, vendet evropiane të Aleancës kanë në dispozicion rreth 2 mijë e 500 avionë ushtarakë, çka u jep atyre një avantazh të konsiderueshëm ndaj forcave ajrore ruse.
Patrushev e cilësoi “amatoreske” mënyrën se si Sikorski analizoi kapacitetet ushtarake të Rusisë.
Ai pretendoi gjithashtu se forcat ruse nuk po përdorin potencialin e tyre të plotë ushtarak në luftën kundër Ukrainës.
















