Gjiganti bankar hungarez OTP Bank ndodhet në mesin e një stuhie të fuqishme gjeopolitike, ku prania e saj në Rusi po kërcënon të mbytë marrëveshjen më të madhe të blerjes në historinë e kompanisë për blerjen e Luminor Bank.
Ky transaksion synon kontrollin e grupit të tretë bankar në rajonin e Balltikut, por operacionet e vazhdueshme të OTP-së në Moskë, sipas Bloomberg, kanë alarmuar rregullatorët e Estonisë
Ndërsa rregullatorët europianë rrisin presionin, aksionet e bankës në bursë kanë pësuar një rënie të ndjeshme prej rreth 5% brenda 48 orëve të fundit.
“Turp moral”: Lidhjet ruse që bllokojnë zgjerimin evropian
Burime ekskluzive për mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se OTP po hulumton me urgjencë rrugët për të dalë plotësisht nga tregu rus.
Ky nxitim vjen pas një bllokade të hapur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë, i cili ka vënë nën skaner të rreptë operacionet e bankës hungareze në Moskë.
Ky skandal u thellua pas rrjedhjes së disa dokumenteve konfidenciale, të cilat tregojnë se mes klientëve të OTP-së në Rusi përfshihen firma të kontrolluara nga gjiganti shtetëror i gazit, Gazprom, si dhe kompani që ofrojnë shërbime për organizata të lidhura direkt me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme ruse (SVR).
Ministri i Financave i Estonisë e ka cilësuar këtë prani si një “turp moral”, duke sinjalizuar se Baltiku nuk do të pranojë kapital me hije ruse.
Kjo situatë po mban peng miratimin e blerjes së Luminor Bank AS—grupi i tretë bankar më i madh në rajonin e Baltikut—një lëvizje strategjike kjo që OTP e konsideron jetike për të ardhmen e saj evropiane.
Muri i Kremlinit dhe paniku në Bursë
Përpjekjet e OTP-së për t’u larguar nga Moska po ndeshin në një mur burokratik dhe ligjor. Drejtuesi i lartë i bankës, Peter Csanyi, pranoi për mediat se megjithëse po vlerësojnë çdo opsion, “për momentin, një shitje është virtualisht e pamundur” për shkak të kufizimeve drakoniane të vendosura nga vetë Kremlini për asetet e huaja.
Tregjet financiare kanë reaguar me panik ndaj këtij ngërçi. Aksionet e OTP Bank pësuan një goditje të fortë në bursë, duke u zhvlerësuar me afër 5% dhe duke zbritur në nivelin e rreth 119.95 eurove për aksion.
Investitorët druhen se banka mund të digjet në dy zjarre: të mbesë e bllokuar në Rusinë nën sanksione dhe të humbasë përfundimisht trenin e zgjerimit në Evropën Veriore .
Dilema e OTP-së ekspozon qartë rrezikun e madh me të cilin përballen institucionet financiare që tentuan të balanconin interesat e biznesit midis Lindjes dhe Perëndimit në epokën e pas-luftës në Ukrainë.














