Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin ndaj Rusisë pas vdekjes së një studiueseje 28-vjeçare në një laborator në Siberi, ku studiohet murtaja pulmonare.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar zyrtarisht Moskës të përmbushë detyrimet ndërkombëtare për njoftimin dhe transparencën në çështjet shëndetësore.
Sipas Wall Street Journal, autoritetet ruse kanë dhënë pak informacion për rrethanat misterioze të vdekjes dhe masat e mëvonshme të karantinës. Uashingtoni paralajmëron se mosdhënia e detajeve mund të përbëjë shkelje të detyrimeve ndërkombëtare në fushën e shëndetit publik.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se së shpejti do të zhvillojë një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin për këtë çështje.
“Deri tani jemi në diskutime shumë të thella, do të jemi në gjendje të raportojmë për këtë ndoshta nesër”, tha Trump.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë thirrje për të mos nxituar në përfundime, duke thënë se mund të mos ketë asgjë serioze, por situata mund të jetë edhe më e rëndë nga sa mendohet.
Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, kanë bërë të ditur se po monitorojnë situatën.
Megjithatë, CDC thekson se aktualisht nuk ka asnjë tregues për një kërcënim më të gjerë për Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për qetësi, përdorim të gjuhës së duhur dhe informacioneve të sakta, ndërsa konfirmon se po monitoron situatën me shumë kujdes.
















