Erion Veliaj duket se po përpiqet të shtojë presionin politik ndaj Edi Ramës në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027, duke përdorur si kartë ndikimin e tij në strukturat socialiste të Tiranës dhe mundësinë e mbështetjes së një kandidati jashtë zgjedhjes së kryeministrit.
Sinjalet më të fundit kanë ardhur përmes deklaratave publike të avokatit të tij, Plarent Ndreca, dhe këshilltarit bashkiak Halit Valteri, të cilët kanë rikthyer në diskutim peshën politike të Veliajt në kryeqytet dhe rolin e tij në zgjedhjet e ardhshme.
Në një intervistë për Euronews Albania, Plarent Ndreca nuk përjashtoi mundësinë që Veliaj të propozojë apo të mbështesë një kandidat të tijin për Bashkinë e Tiranës.
“Sigurisht, të gjitha janë të mundura potencialisht, por unë nuk mund të them tani se çfarë do të ndodhë. Hapi i parë është që të përpiqemi të gjithë të rregullojmë çfarë duhet rregulluar tek organizata jonë. Nëse organizata nuk përgjigjet, patjetër që do të elaborohen të gjitha mundësitë e tjera”, deklaroi Ndreca.
Deklarata merr rëndësi të veçantë në kushtet kur Rama ka nisur riorganizimin e Partisë Socialiste në Tiranë, duke larguar Veliajn nga drejtimi politik i strukturave të kryeqytetit.
Në këtë kontekst, lënia e hapur e mundësisë për një kandidat të mbështetur nga Veliaj mund të lexohet si paralajmërim se kryebashkiaku nuk është i gatshëm të pranojë pa kushte vendimmarrjen e Ramës për zgjedhjet e ardhshme.
Një skenar i tillë do të krijonte vështirësi për socialistët, veçanërisht nëse kandidati i mbështetur nga Veliaj do të ishte i ndryshëm nga ai që do të përzgjidhte zyrtarisht Partia Socialiste.
Paralelisht, një tjetër mesazh erdhi nga Halit Valteri gjatë emisionit “Top Story” në Top Channel.
Valteri deklaroi se Veliaj mbetet figura kyçe për zgjedhjet në kryeqytet dhe se socialistët nuk mund ta fitojnë Tiranën pa mbështetjen e tij.
“Në betejën për Tiranën ka vetëm një çelës dhe ai është Veliaj, askush nuk e fiton dot pa të. Të dalin, ta provojnë”, u shpreh Valteri.
Ai kritikoi gjithashtu drejtimin e Bashkisë së Tiranës nga njerëzit e lidhur politikisht me Ogerta Manastirliun, duke pretenduar se administrimi i kryeqytetit gjatë kësaj periudhe ka qenë i dështuar.
Deklaratat e Ndrecës dhe Valterit, të bëra në një interval të shkurtër kohor, përcjellin të njëjtin mesazh politik: Veliaj vazhdon të ketë një rol në garën për Tiranën dhe mbështetja e tij nuk duhet konsideruar e garantuar.
Në thelb, këto qëndrime mund të interpretohen si përpjekje për t’i kujtuar Ramës se largimi i Veliajt nga drejtimi i strukturave socialiste nuk nënkupton domosdoshmërisht eliminimin e ndikimit të tij elektoral.
Për kryeministrin, sfida nuk është vetëm përzgjedhja e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, por edhe ruajtja e unitetit të strukturave socialiste në kryeqytet.
Nëse përplasja politike thellohet, Veliaj mund të zgjedhë të mbështesë një kandidaturë tjetër ose të mos angazhohet në favor të kandidatit zyrtar të PS-së, dy skenarë që aktualisht mbeten mundësi politike dhe jo vendime të shpallura.
Kjo e kthen qëndrimin e tij në një element që Rama duhet ta marrë në konsideratë gjatë përgatitjeve për zgjedhjet.
Në këtë mënyrë, edhe pse ndodhet në paraburgim dhe është larguar nga drejtimi politik i socialistëve të Tiranës, Veliaj po rikthehet në qendër të debatit për kandidaturën e kryeqytetit.
Mesazhi që përcillet nga deklaratat e mbështetësve të tij është se Rama mund ta zgjedhë kandidatin për Tiranën, por mbetet e hapur pyetja nëse do të ketë edhe mbështetjen e Veliajt në betejën elektorale./Korrieri















