Kontrolle janë zhvilluar në ambientet e burgut të Fierit nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Gjatë kontrolleve, në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit janë gjetur doza të dyshuara si lëndë narkotike e llojit hashash.
Verifikimet janë kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në kuadër të kontrolleve në ambientet e burgut. Dozat me lëndë narkotike u gjetën në qelinë e një të dënuari me inicialet L.K., i cili vuan dënimin prej 10 vitesh e 6 muajsh për trafik narkotikësh.
Pas konstatimit të lëndëve narkotike u njoftua shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve për vijimin e procedurave dhe referimin e rastit në Prokurorinë e Fierit.















