Teksa diskutimet në seancën plenare vijonin dhe radha e votimit nuk kishte ardhur ende, Kuvendi hodhi papritur në votim amendamentin e deputetes socialiste Brisejda Çakërri. Me 77 vota pro, u miratua një përjashtim 10-vjeçar nga tatimi mbi fitimin, ndërsa pyetjet e opozitës për propozimin mbetën pa përgjigje.
Lehtësia fiskale vlen për subjektet që operojnë hotele dhe resorte me katër ose pesë yje nën marka ndërkombëtare. Për ta përfituar, strukturat akomoduese duhet të marrin statusin special deri në dhjetor 2029.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e kundërshtoi amendamentin, duke thënë se propozimi nuk ishte bërë transparent. Ajo e cilësoi si një nga ato “ligje speciale të qepura për klientët e pushtetit”.
Deputetët e opozitës i kërkuan shpjegime Çakërrit, si propozuese e amendamentit. Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve në seancë dhe Kuvendi kaloi drejtpërdrejt në votim. Kështu, një përjashtim tatimor që zgjat një dekadë mori miratimin e Kuvendit pa një shpjegim nga deputetja që e propozoi.















